Von der Leyen dhe Borrell mbërritën në Ukrainë

Kryeministri sllovak Eduard Heger postoi një foto në Twitter duke konfirmuar se ndodhet në Ukrainë me zyrtarë të lartë evropianë

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Josep Borrell dhe kryeministri sllovak Eduard Heger mbërritën sot në Ukrainë për t’u takuar me udhëheqësit e vendit të shkatërruar nga lufta, transmeton Anadolu Agency (AA).

Kryeministri sllovak Eduard Heger postoi një foto në Twitter duke konfirmuar se ndodhet në Ukrainë me zyrtarë të lartë evropianë.

“Ne jemi të gatshëm të diskutojmë propozimet tona për ndihmë me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky dhe kryeministrin, Denis Shmihal”, shkroi Heger.

Ai theksoi se delegacioni do të ofrojë opsione për transportin e drithërave, përfshirë grurin.

Von der Leyen gjithashtu ndau një foto me Borrelin dhe Hegerin në Twitter me mesazhin se ajo “po pret me padurim të (vizitojë) Kievin”.

Ardhja e Von der Leyen dhe Borrellit në Ukrainë është vizita e zyrtarëve më të lartë perëndimorë në këtë vend që kur Rusia filloi luftën më 24 shkurt.

Presidentja e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola vizitoi gjithashtu Kievin javën e kaluar.

Kancelari austriak, Karl Nehammer pritet të vizitojë Ukrainën në ditët në vijim për t’u takuar me presidentin ukrainas, thuhet në një deklaratë nga zyra e tij.

Lufta midis Rusisë dhe Ukrainës, e cila filloi me sulmin rus më 24 shkurt, shkaktoi reagim të ashpër ndërkombëtar dhe çoi në sanksione financiare kundër Moskës ndërsa inkurajoi largimin e kompanive globale nga Rusia.

Sipas OKB-së, të paktën 1.611 civilë janë vrarë dhe 2.227 janë plagosur që nga fillimi i luftës më 24 shkurt ndërsa numri aktual mendohet të jetë shumë më i lartë.

Më shumë se 4.3 milionë ukrainas kanë ikur në vendet fqinje dhe miliona janë zhvendosur brenda vendit, thotë Agjencia e OKB-së për Refugjatët. /aa