Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Vuçiq: Zgjedhjet në Serbi do të shpallen “shumë shpejt”

Vuçiq: Zgjedhjet në Serbi do të shpallen “shumë shpejt”

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, deklaroi se zgjedhjet në vend do të shpallen “shumë shpejt”, duke theksuar se ai është gjithmonë i gatshëm për dialog, raporton Anadolu.

Ai njoftoi se zgjedhjet do të shpallen së shpejti, duke theksuar se qytetarët do të vendosin se kush është i aftë të punojë dhe të ndërtojë, e kush, siç tha ai, merret me kritika dhe fyerje.

Duke folur për çështjen e Industrisë së Naftës së Serbisë (NIS), Vuçiq tha se Serbia do të bëjë gjithçka për ta zgjidhur këtë çështje, por se nuk është optimist sa i përket mundësisë së zgjatjes së licencave që lëshohen nga Zyra Amerikane për Kontrollin e Pasurive të Huaja (OFAC).

“Nuk e di çfarë t’ju them. Nuk jam i sigurt se dikush e di nëse do të ketë zgjatje të licencave pas 31 korrikut. E dija se kjo do të ishte shumë e vështirë”, tha Vuçiq.

Ai shtoi se, pavarësisht kësaj, ekziston shpresa se do të gjendet një zgjidhje. “Do të bëjmë gjithçka që është në fuqinë tonë”, tha ai.

Departamenti Amerikan i Thesarit, përmes Zyrës për Kontrollin e Pasurive të Huaja (Office of Foreign Assets Control – OFAC), vendosi sanksione ndaj NIS-it për shkak të pjesëmarrjes ruse në pronësi në janar të vitit 2025.