Xhaferoviç nga Brukseli për AA: Dodik meriton çdo lloj sanksioni, duhet të ndalet

Anëtari i Presidencës së Bosnjë e Hercegovinës (BeH), Shefik Xhaferoviç, për Anadolu Agency (AA) deklaroi se fushata e çmendur e Milorad Dodik duhet të ndalet menjëherë dhe institucionet e BeH-së duhet të zhbllokohen menjëherë dhe se kjo sipas tij duhet të jetë prioritet për të gjithë në BeH dhe në bashkësinë ndërkombëtare.

Xhaferoviç i cili zhvilloi një vizitë dy-ditore në Bruksel, tha se gjatë vizitës do të bisedojë me deputetë të Parlamentit Evropian nga grupe të ndryshme politike dhe përveç deputetëve të PE-së dhe se do të ketë një bisedë me Sekretarin e Përgjithshëm të Zyrës Evropiane për Punë të Jashtme, Stefan Sanino.

“Qëllimi im është që sa më shumë të alarmojmë Bashkimin Evropian, PE-në, për aktivitete më të forta sa i përket ndihmës për BeH-në dhe kur bëhet fjalë për zgjidhjen e krizës aktuale në të cilën ndodhet BeH. BeH po përjeton një krizë shumë serioze politike që kërcënon shumë seriozisht të kalojë në krizë sigurie për shkak të veprimeve të anëtarit të Kryesisë së BeH-së, Milorad Dodik dhe të gjithë atyre që e ndjekin”, tha Xhaferoviç.

Ai theksoi se është e rëndësishme që të ndërmerren veprime sa më shpejt të jetë e mundur për të penguar Dodikun për paralajmërimin e tij lidhur me të ashtuquajturën kalimin e kompetencave të shtetit të BeH-së tek entiteti përsa i përket mbrojtjes, taksimit indirekt dhe Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Prokurorial dhe me qëllim që përfundimisht të pengohet Dodik që të ndjekë rrugën e shkëputjes të entitetit të BeH-së, Republika Srpska.

“Aktivitetet e ndërmarra nga Dodik për bllokadën aktuale të institucioneve të BeH-së, aktivitetet e paralajmëruara në lidhje me zvogëlimin e kapaciteteve të institucioneve shtetërore të BeH-së dhe kërcënimin e shkëputjes janë në fakt pjesë e një pakete me qëllimin përfundimtar të shkëputjes, pra sulm ndaj sovranitetit të BeH-së dhe integritetit territorial. Natyrisht, ne kurrë nuk do ta lejojmë këtë, ne do të luftojmë, do ta mbrojmë BeH-në, e kemi mbrojtur në rrethana shumë më të vështira, por është një çështje dëmi që sigurisht do të shkaktohet për shkak të këtyre aktiviteteve që Milorad Dodik dhe të gjithë ata që e ndjekin janë duke ndërmarrë. Sa më shpejt të ndalet, aq më pak dëm do të ketë për të gjithë në BeH”, tha Xhaferoviç.

Anëtari i Presidencës së BeH-së paralajmëroi se kriza në BeH, nëse kalon në krizë sigurie, mund të jetë një krizë sigurie jo vetëm për BeH-në, por për të gjithë Ballkanin Perëndimor dhe për të gjithë BE-në, si dhe për botën. Ai ka vënë në dukje se në këtë moment janë duke vuajtur dëmtimet dhe bllokadat e institucioneve shtetërore të BeH-së, prandaj sipas tij BeH nuk ka miratuar buxhetin për vitin 2021 në nëntor, pamundësinë e angazhimit të forcave të armatosura në ndihmë të popullatës civile, si dhe një sërë pasojash të tjera.

“Kjo fushatë e çmendur e nisur nga Milorad Dodik duhet të ndalet menjëherë dhe institucionet e BeH-së duhet të zhbllokohen menjëherë, si dhe kjo duhet të jetë detyrë prioritare për të gjithë ne në BeH dhe në komunitetin ndërkombëtar”, nënvizoi Xhaferoviç, duke vënë në dukje se për komunitet ndërkombëtar nënkupton Uashingtonin dhe në Brukselin.

I pyetur nëse mendon se BE-ja duhet të vendosë sanksione apo të bëjë presion në këtë situatë, Xhaferoviç u përgjigj se më e rëndësishmja është që institucionet të funksionojnë dhe Dodik dhe ata që e ndjekin të heqin dorë nga fushata e çmendur që ka nisur.

“Ajo që ka bërë deri tani sigurisht që meriton sanksione. Sepse, kushdo që e sjellë BeH-në në gjendjen në të cilën është tani, e cila kërcënon seriozisht paqen, duhet të sanksionohet, duke filluar nga unë, e më pas te çdo zyrtar në BeH. Dodik tashmë i ka shkaktuar aq shumë dëme BeH-së saqë ai meriton sanksione të të gjitha llojeve të mundshme”, tha Xhaferoviç.

Kur u pyet për ndryshimet në Ligjin Zgjedhor të BeH-së, Xhaferoviç tha se beson se për momentin është prioritet zhbllokimi i punës së institucioneve të BeH-së pa asnjë kusht dhe se është e vështirë të zhvillohet ndonjë proces tjetër në një situatë ku institucionet janë bllokuar.

“Kemi obligim që Ligjin tonë Zgjedhor ta përshtatim me kërkesat që dolën nga vendimet e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe nga qëndrimet e organeve meritore ndërkombëtare, në radhë të parë të OSBE-së”, tha Xhaferoviç, duke rikujtuar se Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut kërkon nga BeH që të gjithë qytetarët, qofshin ata të popujve përbërës apo jo, duhet të kenë mundësi të barabarta.

“Për momentin, përmes procesit që duhet të zbatojë vendimet e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, po imponohen disa çështje të tjera politike që janë në kundërshtim me Marrëveshjen e Paqes të Dejtonit dhe mendoj se kjo nuk është e mirë. BeH duhet të zbatojë vendimet e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut”, tha Xhaferoviç.

Në fund, ai u pyet se çfarë mendon për rolin e presidentit turk, Recep Tayyip Erdoğan, në të gjithë këtë proces, për të cilin tha se Erdoğan është një mik i madh i BeH-së dhe se ai ia do të mirën të gjithë popujve dhe të gjithë qytetarëve të BeH-së.

“Republika e Turqisë është një mike e madhe e BeH-së, ajo e ndihmon BeH-në dhe nuk kërkon asgjë nga BeH. Vështirë të gjeni miq që ju japin një mbështetje të tillë dhe nuk kërkojnë asgjë nga ju. Ky është qëndrimi i Republikës së Turqisë dhe presidentit Erdoğan ndaj BeH-së. Turqia dhe Erdoğan mbështesin rrugën tonë evropiane, rrugën e NATO-s, mbështesin dialogun e brendshëm në BeH, ndërtimin e një shteti efikas dhe funksional të BeH-së. Sigurisht që ndihma e miqve tanë dhe presidentit Erdoğan në tejkalimin e krizës aktuale është e vlefshme dhe për këtë e falënderoj”, përfundoi Xhaferoviç. /aa