Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Xhamia më e madhe në Maqedoninë e Veriut, e ndërtuar me mbështetjen...

Xhamia më e madhe në Maqedoninë e Veriut, e ndërtuar me mbështetjen e Turqisë, është gati për Ramazan

Xhamia në lagjen e Fushë Topanës, Shkup

Punimet në xhaminë më të madhe në Maqedoninë e Veriut, e ndërtuar nga Fondacioni i Kryesisë së Çështjeve Fetare të Turqisë (TDV) në kryeqytetin Shkup, kanë hyrë në fazën përmbyllëse.

Punimet në Xhaminë e Shkupit, ndërtimi i së cilës nisi në vitin 2017 nga TDV-ja, e cila ndodhet në lagjen e Fushë Topanës në Komunën e Çairit në Shkup dhe është projektuar në mënyrë të ngjashme me Xhaminë Mihrimah Sultan në lagjen Edirnekapi të Stambollit, po i afrohen përfundimit.

Ndërsa forma përfundimtare e xhamisë madhështore pritet me entuziazëm nga banorët e zonës, hapësira e saj për falje do t’i hapë dyert besimtarëve gjatë muajit të Ramazanit për të gjitha kohët e namazit.

Këshilltari për Shërbimet Fetare në Ambasadën e Turqisë në Shkup, Mustafa Bodur, në një deklaratë për Anadolu vlerësoi procesin e ndërtimit të xhamisë, karakteristikat e saj dhe hapjen që do të realizohet.

Bodur tha se themeli i xhamisë u hodh në vitin 2017, si rezultat i marrëveshjeve të arritura me institucionet kompetente në vend, por se punimet u ndërprenë për një periudhë për shkak të kushteve gjatë pandemisë.

Duke theksuar se pas punimeve të kryera xhamia është bërë gati për kryerjen e adhurimeve, Bodur tha: “Xhamia jonë është ndërtuar duke u bazuar në karakteristikat arkitekturore të Xhamisë Mihrimah Sultan. Prandaj është projektuar me dy minare. Xhamia ka një sipërfaqe prej 10 mijë metrash katrorë, kemi dy minare me lartësi 48 metra. Është planifikuar tërësisht në stilin e një kompleksi, pjesa e brendshme do të pranojë rreth 1000 besimtarë, ndërsa me hapësirat e jashtme do t’u shërbejë deri në 3.200 personave”.

Bodur shtoi se në katet e poshtme të xhamisë do të jenë zyrat e Bashkësisë Fetare Islame të Maqedonisë së Veriut (BFI), një sallë konferencash me kapacitet rreth 250 persona, një dyqan prej 500 metrash katrorë, zyrat e Këshilltarit për Shërbimet Fetare si dhe një parking për 36 automjete.

– Synohet që xhamia të bëhet gati për një hapje madhështore gjatë vitit 2026

“Ky vend njihet si zona e Fushë Topanës. Megjithatë, ne thamë ta quajmë xhaminë tonë Xhamia e Shkupit. Në përgjithësi, populli ynë këtu e quan Xhamia e Topanës ose Xhamia e Shkupit”, tha ai duke informuar rreth emrit të xhamisë.

Bodur theksoi se me teravinë e parë do të lexohet ezani në xhami dhe gjatë Ramazanit do të falen të gjitha namazet e kohës, si dhe gjatë këtij muaji do të mbahen edhe mukabele dhe ligjërata.

Duke theksuar se gjatë Ramazanit do të ndalojnë punimet në pjesët e tjera të xhamisë, Bodur tha se pas Namazit të Bajramit do të vazhdojnë punimet për ndërtimin e pjesëve të tjera në katin përdhes.

Bodur vuri në dukje se xhamia ka një pozitë të rëndësishme dhe se në afërsi të saj ndodhet Universiteti Ndërkombëtar Ballkanik (IBU), i ndërtuar me mbështetjen e Turqisë.

Duke theksuar se synojnë përfundimin e ndërtimit të xhamisë gjatë vitit 2026, Bodur shtoi se pas përfundimit të këtij procesi do të organizohet edhe një ceremoni madhështore hapjeje.

“Kjo xhami simbolizon një lidhje shumë të ngushtë me Turqinë”

Myftiu i Shkupit, Qenan Ismaili, nga ana tjetër, tha se kjo xhami, të cilën e kanë pritur prej kohësh, simbolizon një lidhje shumë të ngushtë me shtetin e Turqisë dhe një bashkëpunim shumë të mirë ndërinstitucional.

Ismaili theksoi se në Shkup ka edhe xhami të vjetra me arkitekturë të ngjashme dhe se është me rëndësi që përmes bashkëpunimit ndërmjet Dijanetit të Turqisë dhe BFI-së, në nivel shtetëror dhe institucional, vendi do të fitojë sërish një xhami të tillë.

“Përjetojmë emocione të veçanta në prag të muajit të bekuar të Ramazanit që edhe zbukurimi me njerëz brenda xhamisë por edhe me nëpunësit fetar të cilët do të shërbejnë brenda muajit të bekuar të Ramazanit do ta tregojë këtë unitet. Sepse edhe me imamët që do të vijnë nga Turqia edhe imami që do të jetë nga Shkupi, gjitha këto do të simbolizojnë që xhamia ofron unitet, paqe, rehati dhe lumturi”, u shpreh Ismaili për Anadolu.