Zelensky për 33 miliardët e premtuar nga SHBA-ja: Do t’i ndryshojnë aftësitë luftarake të Ukrainës

Ndihma prej 33 miliardë dollarësh për Ukrainën, e propozuar nga presidenti amerikan, Joe Biden të enjten, do të bëjë një ndryshim të madh në aftësitë luftarake të Ukrainës, ka thënë presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, në fjalimin e tij të natës drejtuar kombit, raportoi BBC-ja.

Në fillim të fjalimit, Zelensky falënderoi popullin amerikan dhe presidentin Biden dhe tha se pajtohet me komentin e Bidenit se paketa “nuk është e lirë”, por është e nevojshme për të ndaluar agresionin rus.

Zelensky përsëriti zotimin e tij për të mbajtur përgjegjës çdo ushtar rus që zbulohet se ka kryer krime lufte në Ukrainë.

“Banditët që vranë dhe torturuan ukrainasit do të sillen në gjyq”, ka thënë Zelensky, duke paralajmëruar se shumë prej tyre mund të mos i mbijetojnë luftës. /koha