
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky i ka bërë thirrje Qipros dhe BE-së që të mbyllin portet për anijet ruse.
“Ne kërkojmë që të gjitha portet qipriote të mbyllen për anijet ruse”, tha sot Zelensky përmes një lidhjeje me video në parlamentin qipriot duke shtuar se ky duhet të jetë gjithashtu një vendim i përbashkët i Bashkimit Evropian.
Gjatë ditës së sotme, vendet anëtare të BE-së nuk ishin në gjendje të arrinin një marrëveshje të menjëhershme për miratimin e një pakete të re sanksionesh që shënjestrojnë Rusinë.
Një pikë e veçantë penguese ishte përpjekja e Greqisë dhe Maltës për të përshtatur formulimin e rreptë të rregulloreve për mbylljen e porteve evropiane të propozuara nga Komisioni Evropian.
Zelensky falënderoi Qipron për ndihmën humanitare që i kishte dhënë Ukrainës dhe përshkroi edhe një herë mizoritë ruse të kryera në Ukrainë, duke shfaqur pamje të luftës dhe duke u bërë thirrje ligjvënësve që të mos lejojnë kryerjen e krimeve të tilla. /atsh


