Zelenskyy: Jam i sigurt se “diktatori” do të humbasë – VIDEO

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy përdori termin “diktator” në Festivalin e 75-të të Filmit në Kanë, duke iu referuar presidentit rus, Vladimir Putin, transmeton Anadolu Agency (AA).

Zelenskyy mori pjesë në ceremoninë e hapjes së festivalit, të mbajtur dje në mbrëmje, përmes video-konferencës dhe mbajti një fjalim prej rreth 10 minutash.

Duke folur për Luftën e Dytë Botërore dhe filmin e Charlie Chaplin të vitit 1940 “Diktatori” në fjalimin e tij, Zelenskyy tha: “Diktatori” (filmi) i Charlie Chaplin nuk e vrau ‘diktatorin’ e vërtetë në atë kohë, por falë këtij filmi, kinemaja doli nga heshtja. Me plotë kuptimin e fjalës (doli) nga heshtja. Kinemaja fliste dhe ishte zëri i fitores që po vinte”.

Duke iu referuar Putinit, Zelenskyy tha se njerëzimi ka bërë shumë filma që nga ajo ditë. “Mund të mendonim se tmerret e luftës nuk do të vazhdonin, por edhe tani ekziston një ‘diktator’, siç ishte në të kaluarën”, tha ai.

Duke kujtuar se Rusia i shpalli luftë Ukrainës më 24 shkurt, Zelenskyy tha se ushtria ruse vrau shumë njerëz në zonat ku hyri, përfshirë 229 fëmijë.

Presidenti ukrainas tha se ata do të vazhdojnë të luftojnë dhe se nuk kanë zgjidhje tjetër.

“Jam i sigurt se ‘diktatori’ do të humbasë. Ne kemi nevojë për një Chaplin të ri për të provuar se kinemaja nuk hesht”, tha Zelenskyy.

Festivali i 75-të i Filmit në Kanë do të zhvillohet nën hijen e luftës Ukrainë-Rusi. Përpara ngjarjes u njoftua se delegacioni rus u ndaluan nga festivali i këtij viti.

Në shenjë mbështetjeje për popullin ukrainas, filmat e dy regjisorëve ukrainas do t’i prezantohen publikut në seksione të ndryshme në festival ndërsa filmi i fundit i regjisorit lituanez, Mantas Kvedaravicius, i cili humbi jetën muajin e kaluar në Ukrainë, “Mariupol 2” do t’u prezantohet shikuesve të filmit me një shfaqje të veçantë. /aa