Zemra e dëlirë

Hoxhë Justinian Topulli

Thonë se sinqeriteti është virtyt i budallait! Në fakt shumë prej atyre që e thonë këtë, janë të sinqertë me këtë përligjje të hipokrizisë dhe mungesës së sinqeritetit, ndërkohë që më të ligj se këta, janë ata që këtë pohim nuk e bëjnë kurrë me gojë, por e tregojnë vetëm me vepra.
Nëse sinqeriteti është virtyt, ai nuk mund të jetë tipar i budallenjve, por i atyre që shohin përtej hundës së tyre dhe interesit momental e afatshkurtër. Sinqeriteti është virtyt i atyre që e dinë mirë se do të takojnë Zotin e tyre një ditë, dhe se në prezencën e Tij mund të qasen vetëm me zemër të pastër, të pastër nga idhujtaria e dyshimet, por të pastër edhe nga hipokrizia dhe shtirja dhe çdo vesi tjetër të lig.
Allahu pohon në Kuran, përmes fjalëve të mikut të Tij, Ibrahimit (alejhi selam): “Ditën kur nuk bën dobi as pasuria dhe as fëmijët, ditën kur do të shpëtojë vetëm ai që i paraqitet Zotit me zemër të dëlirë!” (26:88-89)
Ibn Rexhebi (rahmet pastë!) ka thënë: “Zemra e dëlirë është ajo në të cilën nuk ka asnjë dashuri për atë që Allahu e urren, kështu që këtu përfshihet dëlirësia nga idhujtaria e dukshme dhe e padukshme, nga tekat dhe devijimet (bidatet), nga amoraliteti dhe gjynahet, të mëdha e të vogla, të dukshme dhe të fshehta, siç është hipokrizia, vetëpëlqimi, dashakeqësia, dredhia, urrejtja, smira e të tjera.”

Nga: Hoxhë Justinian Topulli