Zendani: Dijetari jemenas, pionier i studimit të fakteve shkencore në Kuran

Shejh Abdulmexhid Zendani

Pas një jete të gjatë, gjatë së cilës përjetoi vështirësi, konflikte, rezistencë dhe luftë deri në fund të ditëve të tij, Shejh Abdulmexhid Bin Aziz El Zendani e përfundoi rrugëtimin e tij në këtë botë. Ky shejh nga Jemeni emigroi nga vendlindja, pasi armiqtë e tij deshën t’i merrnin jetën dhe shkatërruan universitetin e mirënjohur që ai kishte themeluar.
Kështu, ai u detyrua të largohej nga vendi i tij, duke u strehuar në Arabinë Saudite, ku qëndroi për vite me radhë, përpara se të transferohej në Turqi në vitin 2020. Këtu ai u varros në afërsi të Xhamisë së “Ebu Ejub El Ensarit”. Ky ishte caktimi i Zotit dhe ditët mbaruan për një njeri, emri i të cilit lidhet me Jemenin, besimin dhe mrekullitë shkencore në Kuran.
Abdulmexhid El Zendani erdhi në jetë në vitin 1942 në fshatin El Dhahbi në provincën Ibb, por rrënjët e tij vijnë nga fshati Zendan, prej nga vjen edhe emri i tij. Ky emër e shoqëroi dhe e bëri njeriun më të famshëm të zonës nga ai vinte, dhe ndoshta një nga dijetarët, udhëheqësit dhe politikanët më të famshëm të Jemenit. Sa i përket fisit të tij, ai vjen nga familja e mirënjohur kahtaniane e Erhab Bin Bakil, të cilës i atribuohen edhe lloji i deveve të fisme të quajtura Arhab.
Në fshatin e tij të vogël, ai mori njohuri të gjera mbi shkencat e sheriatit dhe gjuhën arabe, duke iu përkushtuar shërbimit të fesë. Zendani mbante kamën autentike jemenase dhe ndiqte rrugën e jemenasve të hershëm. Ai dallohej nga edukata e lartë shpirtërore dhe mirësia, përvojat e njohura dhe përpjekjet e vazhdueshme në mbështetje të arsimit. Me këto cilësi brumosi edhe mbështetësit të tij, shkollën shkencore dhe universitetin e tij që mbante emrin “Xhamiatu’l Iman” (Universiteti i Besimit).
Ky njeri i veçantë ishte një nga bijtë e revolucioneve jemenase dhe një nga ato pasionet që u promovuan në poezitë dhe mendimet e gjykatësit dhe poetit Muhamed Mahmud El Zubejri, shkëlqimi i të cilave mban ende gjallë zemrat e bashkëkohësve të tij.
Duket se edukimi brenda familjes ka lënë gjurmë të pashlyeshme në karakterin e Abdulmexhidit, i cili kujton se si babai i tij dikur ishte zemëruar aq shumë, sa për pak sa nuk e kishte goditur të birin. Kjo sepse i riu kishte marrë më shumë para nga sa i takonin nga një shitës i vogël në moshë në fshatin e tyre. Babai i kishte ngritur zërin, nga frika se në shtëpinë e tij ose në stomakun e të birit do të hynin para haram. Ky është vetëm një shembull nga shembujt e shumtë të paqes shpirtërore, devotshmërisë dhe drejtësisë me të cilën ishte edukuar vetë Zendani, ishte formuar në mënyrë të palëkundur, derisa ajo ishte bërë pjesë e karakterit të tij, ashtu siç rrëfejnë disa nga mbështetësit dhe dashamirësit e tij.
Një jemenas në Universitetin El Ez’her
Shejh Zendani ka studiuar në nivelin fillor dhe të mesëm në shkollat shtetërore në provincat Ibb dhe Aden, para se të shpërngulej në Egjipt, ku ka studiuar në Fakultetin e Farmacisë për dy vjet, por nuk i ka përfunduar studimet atje për shkak të zhvillimeve që pasojnë në atë kohë në Jemen. Gjithashtu, interesi për të studiuar shkencat islame e shtyn atë të merrte një rrugëtim tjetër, i ndryshëm nga ai për të cilin ishte larguar nga Jemeni në krye të herës.
Në El Ez’her dhe në brendësi të organizatave të Vëllazërisë Myslimane, dhe në mesin e bibliotekave dhe qarqeve arsimore dhe intelektuale të Egjiptit, Shejh Zendani fitoi njohuri të gjera dhe vetëdije dinamike, gjë e cila bëri që personaliteti i tij të merrte një rrugëtim tjetër.
Por ai e gjeti veten jashtë Egjiptit duke kërkuar për një vend të ri për të qëndruar. Atmosfera politike në Egjiptin e Naserit në atë kohë ishte po aq e paqëndrueshme sa përmbytjet e Nilit, pasi Kajro ishte ngopur me “Vëllazërinë”, duke flakur një numër të madh të tyre nëpër burgje. Në atë kohë u varën në litar një numër udhëheqësish të tyre, ndërsa të tjerë vdiqën nën kamxhikët e torturave në bodrumet e burgjeve. Sa i përket Jemenit, ai po vlonte kundër ‘sundimit imami’, ndërkohë që Revolucioni i 26 Shtatorit 1962 po merrte formë dhe më vonë ia doli të rrëzonte sundimin e kohës pas dy përpjekjeve të dështuara.
Zendani u zhvendos në Mbretërinë e Arabisë Saudite, duke u njohur me dijetarë të mirënjohur, si Shejh Abdulaziz Bin Baz, Muhamed Bin Salih El Uthejmin dhe autoritete të tjera shkencore në Hixhaz, ku iu përkushtua studimit të shkencave islame, përpara se të përfundonte rrugëtimin e tij akademik duke marrë gradën e doktoraturës në Universitetin Islamik Omdurman në Sudan.
Pionier i studimit të fakteve shkencore në Kuran dhe themelues i Universitetit El Iman
Shejh Zendani e zgjeroi në masë të gjerë botëkuptimin e tij në studimet fetare. Duket se formimi i tij në fushën e biologjisë i mundësoi atij të zbulonte një botë të pafund faktesh shkencore në Kuran, veçanërisht në lidhje me vërtetimin se Sheriati i ka paraprirë shumë më herët zbulimeve moderne shkencore në fushat e biologjisë, jetës detare dhe mjekësisë.
Ai nuk u mjaftua vetëm me paraqitjen e mrekullive shkencore në Kuran dhe traditën profetike, por u përpoq të përcaktonte standardet dhe konceptet e kësaj shkence të re, e cila hapi sy dhe zemra të shumta në mbarë botën ndaj madhështisë së Islamit.
Nuk njihet askush nga brezi i tij që të jetë më i famshëm sesa ai, për preokupimin me çështjen e mrekullive shkencore në Kuran. Kjo fushë ishte një nga fushat më të rëndësishme dhe më të spikatura me të cilat u bë i njohur Shejh Zendani. Ai rregjistroi një numër të madh kasetash e leksionesh dhe botoi një numër librash në të cilat parashtroi reflektimet e tij mbi manifestimet e mrekullive shkencore në Kuranin Famëlartë dhe Sunetin e Profetit (a.s.).
Përveç kësaj, ai kontribuoi në krijimin e një institucioni ndërkombëtar që merret me studimin e mrekullive shkencore në Kuran dhe Sunet, me seli në Mbretërinë e Arabisë Saudite. Më vonë, ai do të ishte edhe drejtuesi i institucionit në fjalë.
Ai i kulmoi kërkimet shkencore duke njoftuar në vitin 2004 se kishte zbuluar një kurë për virusin vdekjeprurës të SIDA-s, duke mbajtur sekretin dhe pronësinë e këtij mjekimi për vete, nga frika e “mafias së kompanive të medikamenteve”, siç do të shprehej vetë ai në atë kohë.
Gjatë karrierës shkencore, Shejh Zendani ka lënë pas një numër të madh kërkimesh, studimesh, ligjëratash dhe udhëtimesh me natyrë kërkimore. Gjithashtu, ai ka shkruar një sërë veprash të rëndësishme, nga të cilat më të njohurat janë: Rrënjët e Mrekullisë Shkencore të Kuranit, Teuhidi, Dëshmitë Shkencore në Kuranin Famëlartë, Shkenca e Besimit (përkthyer në shqip), Rruga e Besimit, Drejt Besimit (Përkthyer në shqip)… etj.
Shejhu i ndjerë i kushtonte një rëndësi të madhe marrëdhënies me besimin në përgjithësi, dhe ajo ishte gjëja që e prokuponte atë në mënyrë të vazhdueshme. Kurani e kishte “pushtuar” zemrën e Shejh Zendanit. Shumë nga ata që e njihnin, kanë folur për pasionin e tij për Librin e Shenjtë, duke vënë theksin te dëshira e tij për ta recituar atë gjatë namazit.
Ndërsa reputacioni dhe statusi akademik dhe shoqëror i këtij personaliteti me kontribute të mëdha bëhej edhe më i dukshëm, ai ishte jashtëzakonisht i kujdesshëm për të fshehur nga njerëzit, qoftë edhe ata më të afërtit, adhurimin dhe lotët e derdhura, me të cilat e kalonte natën duke madhëruar Zotin dhe recituar Kuranin. Sipas asaj që thonë edhe njerëzit e tij më të afërt, Shejh Zendani gjithashtu ishte i kujdesshëm t’i ruante për vete “disa sekrete” midis tij dhe Zotit.
Ky njeri i transformoi termat popullore si shkenca e kelamit dhe shkenca e akaidit në shkencë të besimit, duke përdorur burime nga Kurani Famëlartë dhe Tradita profetike. Zendani qëndroi përballë dallgëve të ateizmit, duke iu drejtuar mendjes njerëzore me dëshmi të qarta nga retorika kuranore, me argumente shkencore të pakundërshtueshme dhe me trajtim logjik e racional.
Për të grumbulluar njohuri dhe dituri të ndryshme, të cilat Zendani besonte se janë baza për rritjen dhe edukimin e të rinjve myslimanë, ai themeloi Universitetin El Iman në qendër të kryeqytetit jemenas, Sana’. Me kalimin e kohës, universiteti hapi një numër degësh në pjesë të ndryshme të Jemenit. Studentët e tij, nga më shumë se 55 kombësi, arritën në mijëra, ndërkohë që profesorët vinin nga kombësi të ndryshme dhe ishin të spëcializuar në fusha shkencore të larmishme.
Nga Universiteti El Iman janë diplomuar mijëra studentë në nivelin universitar. Ata janë shpërndarë nëpër vende të ndryshme të botës si lulet dhe aroma të bartura nga era, nga majat e maleve në ultësira, lugina, lumenj dhe fusha. Megjithatë, në ditët e fundit të tij, Universiteti El Iman nuk ishte gjë tjetër veçse një plagë jemenase mes shumë plagëve të tjera, pasi zhvillimi, historia dhe rrezatimi i tij u shkatërruan dhe u copëtuan nga plumbat e Lëvizjes Huthi, të cilët e përshkruan atë si “inkubatori i selefistëve dhe tekfiristëve”.
Universiteti nuk ishte objektivi i vetëm për kundërshtarët e Zendanit. Përkundrazi, ata shkuan edhe në shtëpinë e tij në fshatin Zendan dhe e kthyen atë në gërmadha dhe grumbuj kujtimesh, pasi vendosën bomba dhe eksplozivë për të shpërthyer themelet e saj. E gjitha kjo, në përpjekje për t’u hakmarrë ndaj njeriut të cilin ata e shihnin si një kërcënim për projektin e tyre për të sunduar Jemenin.
Nuk mund të thuhet se largimi i Zendanit nga Jemeni i përngjante një shëtitjeje nëpër lugina, fusha dhe malësi, të cilat ai i njihte dhe e njihnin prej kohësh. Përkundrazi, ishte një udhëtim i domosdoshëm, pasi ai në vetëvete ishte në shënjestrën e armiqve të tij, të cilët e kërkonin me ngulm. Zendani ishte vërtet i vetëdijshëm se largimi nga Jemeni ishte një aventurë që mund t’i kushtonte jetën. Siç ai do të shprehej në deklaratat për shtyp, atij i ishte dashur të kalonte postblloqe në 4 provinca të kontrolluara nga Lëvizja Huthi. Në fakt, ai u nis nga provinca e Taizit me një grup personash të tjerë të shpërndarë në katër automjete, duke kaluar nëpër tridhjetë postblloqe të Lëvizjes Huthi, përpara se të mbërrinte në Arabinë Saudite.
Zendani qëndroi në Arabinë Saudite për rreth 5 vjet, pasi mbërriti në mesin e korrikut 2015. Më pas, në nëntor 2020, u nis për në Turqi. Në Stamboll ai do të kishte strehimin e tij të fundit. Aty do të ishte edhe varri dhe fundi i udhëtimit të këtij shejhu të Jemenit, besimit dhe studimit të mrekullive të Kuranit.
Shejh Zendani e donte vendin dhe universitetin e tij. Ai ishte i lidhur me studentët e tij dhe ata ishin të lidhur me të. Në vazhdimësi ai përpiqej ti shërbente universitetit me gjithë mendimin, pasurinë dhe marrëdhëniet që kishte. Kështu që solli atje dijetarë dhe studiues nga e gjithë bota dhe u kujdes që ata të qëndronin atje për aq kohë sa të mundeshin.
Dr. Muhamed El Muhtar El Shenkiti, një nga ish-pedagogët e Universitetit El Iman, flet për përkujdesjen që Zendani tregonte për pedagogët e universitetit të tij. Ai tregon për dëshirën që ky dijetar kishte për t’u shërbyer atyre dhe për t’u garantuar komoditetet e nevojshme, si dhe refuzimin e tij ndaj dorëheqjeve ose largimeve të mundshme.
El Shenkiti shton: “Më pas erdhi koha që të largohesha nga Jemeni në fund të vitit 1999 për studime pasuniversitare në Shtetet e Bashkuara. Por Shejh Zendani, me bujarinë e tij, këmbënguli që të mos udhëtoja dhe refuzoi dorëheqjen time nga universiteti. Kështu m’u desh ta vë përpara faktit të kryer duke rezervuar një biletë dhe duke e vizituar për t’i dhënë lamtumirën në mbrëmje, ndërsa do të udhëtoja në agim. Nga Uashingtoni, pikëllimi dhe kujtimet e San’asë më trazonin zemrën. Një nga frytet e kësaj gjendjeje ishte poema “Mall për ty Sana’a”, të cilën e shkrova në fund të vitit 1999 dhe ia dërgova Shejhut. Ai do të gëzohej shumë me të. Ndërsa miku im, shkrimtari i ndjerë jemenas Hamid Shahra, e botoi poemën në një gazetë jemenase.”
Midis politikës dhe shërbimit të fesë: qëndrime të shumta
Politika ka zënë një pjesë të madhe të jetës dhe kulturës së Shejh Zendanit. Ai ishte një element aktiv në të gjitha ndryshimet që dëshmoi Jemeni. Që nga përmbysja e Abdullah El Sal’lal dhe ngritja e regjimit të gjyqtarit Abdurrahman El Irjani në vitin 1967, kohë kur u ngrit në poste të ndryshme derisa u bë drejtor i Çështjeve Shkencore në Ministrinë e Arsimit dhe më pas drejtor i Zyrës së Orientimit dhe Këshillimit në 1975.
Sa i përket rrugëtimit të tij politik, ai ka nisur në fillim të viteve gjashtëdhjetë të shekullit të kaluar. Zendani ishte një nga aktivistët që shoqëroi revolucionin jemenas që i dha fund ‘sundimit imami’ dhe kontribuoi në mbrojtjen dhe udhëheqjen e tij. Ai gjithashtu kishte një prani efektive dhe të fortë në të gjitha etapat politike që kaloi vendi. Zendani kontribuoi në themelimin e Partisë së Reformimit (El Islah) në 1991, duke marrë drejtimin e Këshillit të Drejtues të partisë. Së bashku me Shejh Abdullah El Ahmar, ai ishte në gjendje të garantonte që kushtetuta e Jemenit të sanksiononte se Sheriati do të ishte burimi i vetëm i legjislacionit në vend.
Zendani, një personalitet i shumëanëshëm, u ngjit në rangjet e politikës derisa u bë nënkryetar dhe anëtar i Këshillit Presidencial që administroi Jemenin në mesin e viteve nëntëdhjetë të shekullit të kaluar, pasi vendi po merrte veten nga lufta e dytë civile.
Ai gjithashtu mbeti gjithmonë në udhëheqjen politike dhe shoqërore në Jemen. Madje, një gazetë kishte shkruar për Zendanin se, nëse ai do të thërriste ngjitje drejt një maje mali, njerëzit do të ishin mbledhur rreth tij. Kuvendet dhe ligjëratat e tij i përngjanin festivaleve të një umeti, referendumeve të një populli dhe aksionet e një lëvizjeje për ndryshime politike, intelektuale dhe shoqërore.
Ai nuk e fshehu se udhëtimi i tij “me Sheriatin dhe jetën” i solli shumë famë dhe vendosi në dorë shumë letra për të ndikuar në zemra, mendje, pozicione dhe vendime të ndryshme. Megjithatë, kjo i solli atij edhe armiqësi nga palët e fuqishme në botë. Shtetet e Bashkuara e klasifikuan në vitin 2004 si një nga të kërkuarit për t’u arrestuar dhe e ngritën nivelin e akuzës duke thënë se Zendani ishte babai shpirtëror i liderit dhe Udhëheqësi i Al-Kaedës, Osama Bin Laden, dhe një nga financuesit e terrorizmit. Më pas akuzat u intensifikuan dhe vazhduan, dhe në vitin 2011, Uashingtoni i kërkoi Jemenit ta arrestonte Zendanin.
Sa i përket Zendanit, ai ishte mëse i sigurt për pafajësinë e tij, u distancua nga akuzat e Uashingtonit, duke i hedhur poshtë ato dhe duke kërkuar nga Shtetet e Bashkuara të paraqisnin prova në gjyqësorin e Jemenit për pretendimet e tyre. Megjithatë, intensiteti i valës revolucionare dhe stuhia e Pranverës Arabe ishte një tjetër variabël që ndryshoi prioritetet e Uashingtonit. Nga ana tjetër, revolucioni i “Pranverës Arabe” i dha fund mbështetjes së Zendanit për regjimin e ish-presidentit Ali Abdullah Saleh dhe e ktheu atë në një mbështetës të fortë dhe me ndikim të rinisë protestuese pjesë të revolucionit. Revolucionin e pa si një besëlidhje popullore për refuzim të së keqes dhe promovim të së mirës dhe drejtësisë politike e shoqërore.
Zgjuarsi jemenase
Megjithë statusin e tij të lartë në shoqërinë jemenase, Zendani ishte i afërt me njerëzit, i donte njerëzit dhe ata e donin atë, kishte humor dhe zgjuarsi. Ai njihej për qëndrimin e tij kundër lidhur me Katin (Gjethe të shkurres Catha edulis, si duhani, të cilat përtypen dhe përdoren gjerësisht në Jemen. Ato kanë efektin e një stimuluesi euforik. Shënim i përkthyesit), si në aspektin fetar ashtu edhe në atë historik. Ai besonte se jemenasit e lashtë nuk e përdornin Katin dhe mbështetësit e përdorimit të tij nuk mund të vërtetonin se ai ishte i njohur për paraardhësit e tyre të lashtë. Ndërsa në aspektin fetar ai e kundërshtonte atë për shkak se është i dëmshëm për trupin, mendjen dhe anën financiare.
Ish-drejtori i zyrës së tij, Abduselam El Mexhidi tregoi se kur Shejh Zendani ishte zgjedhur në vitin 1993 si anëtar i Këshillit të Presidencës prej pesë personash, ai u përpoq t’i afronte katër të tjerët, me në krye Ali Abdullah Salih, dhe t’i bashkonte rreth një ideje të përbashkët. Një herë ai u gjend në praninë e tyre, ndërkohë që ata po konsumonin Kat. Presidenti Ali Abdullah Salih i zgjati atij një tufë me Kat, duke i thënë: “Ti duhet ta kunsumosh këtë, vëlla Abdulmexhid.” Shejhu i ishte përgjigjur: “Ti e di që unë nuk e konsumoj.”
Salih ia kishte kthyer: “Nuk duhet t’ia kthesh fjalën presidentit tënd (ose diçka të ngjashme).” Pastaj kishte ndërhyrë Shejh Abdullah El Husejn El Ahmar, duke thënë: “Ty të duhet të provosh se je nga Jemeni (duke nënkuptuar se një jemenas nuk është vërtet jemenas nëse nuk përdor Katin).” Shejhu i ishte përgjigjur këtij pretendimi duke thënë se Kati nuk ka më shumë se 400 vjet që ka hyrë në Jemen. Një gjë e tillë nënkuptonte se ata që nuk e konsumojnë Katin i përkasin jemenasve të hershëm. Megjithatë, Salih kishte këmbëngulur që Shejh Zendani të konsumonte Kat, por kjo nuk nuk e lëkundi atë nga pozicioni i tij kundërshtues, duke arritur me mencurinë, mprehtësinë dhe argumentet e shumta, t’i bënte ballë këmbënguljes së Presidentit Salih që ai të konsumonte Katin.
Megjithatë, ndonjëherë ai detyrohej t’i ofronte Kat mysafirëve të tij beduinë, të cilët e shihnin çdo nder si të paplotë, nëse nuk përfshinte barishten e njohur si Kat.
Dr. El Shenkiti gjithashtu ka treguar një ngjarje lidhur me këtë, duke thënë: “Një nga rastet e bujarisë dhe mprehtësisë së intelektit të tij që më kujtohet ende, ishte kur e vizitova atë me kolegë nga profesorët e Universitetit El Iman. E gjetëm sallën e bollshme të miqve në shtëpinë e tij të mbushur me mbetjet e bimës Kat, ndërkohë që i dinim mirë rezervat e tij që ai kishte për përdorimin e Kat-it dhe paralajmërimin e tij për dëmet e tij shëndetësore dhe sociale. Kur e pyetëm për këtë ngjarje që na kishte habitur, ai buzëqeshi prej habisë sonë dhe u përgjigj: Kam pasur sot mysafirë që kanë ardhur në Sana’ nga fshatrat përreth. Ata nuk i kuptojnë diskutime fetare dhe shëndetësore. Ndërsa Kati përbën një pjesë të pandashme të nderimit të mysafirit në zakonet e tyre fisnore. Nëse nuk do t’i kisha ofruar Kat, ata do të ishin përhapur në të gjithë Jemenin, duke më akuzuar se nuk e nderoj mysafirin dhe duke më qortuar në çdo vend.”
Jemenasit binin dakord, përpara se të shpërthente lufta mes tyre, se Zendani ishte një nga dijetarët, adhuruesit dhe të urtët më të mëdhenj midis tyre dhe se sot ai është një nga njerëzit më të mëdhenj që kanë lënë gjurmët e tyre historike në të tashmen dhe të ardhmen e Jemenit.
Në ekzil në Turqi, shpirtrat takohen dhe toka mbështjell trupa, disa prej të cilëve vdekja thjesht jua shton përjetësinë. Ai ishte biri i fshatit Zendan dhe një njeri që ia kushtoi jetën besimit në Zot dhe promovimit të fakteve shkencore në Kuran. Trupi i tij prehet tanimë pranë varrit të sahabiut të mirënjohur Ebu Ejub El Ensarit (r.a.). Ndoshta ka pasur një lidhje të veçantë midis sahabiut të madh dhe këtij njeriu, që gjatë gjithë jetës së tij është përpjekur t’i shihte eksperiencat jetësore të sahabëve si shkallë për t’u ngjitur drejt besimit të vërtetë.

Nga Emin Habla