Zgjerimi i vendbanimeve izraelite minon zgjidhjen e negociuar me dy shtete

Linda Thomas Greenfield

Duke folur në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara në kuadër të mbështetjes së SHBA-së për zgjidhjen me dy shtete, ambasadorja Thomas-Greenfield theksoi se takimet gjatë vizitës së saj në Izrael, Palestinë dhe Jordani sollën në jetë ide “premtuese” dhe se Këshilli i Sigurimit mund të luajë rol në ndërtimin e besimit ndërmjet palëve.

“Gjatë vizitës sime, unë pash me sytë e mi se sa serioze ishte situata e sigurisë së palestinezëve. Dëgjova që kolonët izraelitë sulmojnë palestinezët, plaçkitin shtëpitë dhe dëmtojnë pronat e tyre në Bregun Perëndimor. Unë e diskutova gjerësisht këtë situatë me kolegët e mi izraelitë”, tha ajo.

Thomas-Greenfield tërhoqi vëmendjen se familjet palestineze kanë frikë se mos dëbohen nga shtëpitë e tyre.

“SHBA-ja nuk e miraton zgjerimin e vendbanimeve (ilegale) prej vitesh të tëra. Kjo nuk është asgjë e re për ne, por kjo praktikë ka arritur në një pikë kthese kritike dhe po minon zgjidhjen e negociuar me dy shtete”, vlerësoi mes të tjerash përfaqësuesja e përhershme amerikane në OKB.