Zjarret e furishme pyjore në Kili marrin të paktën 99 jetë

Të paktën 99 njerëz kanë humbur jetën dhe 1.600 kanë mbetur të pastrehë nga zjarret pyjore në rajonin qendror Valparaiso të Kilit, njoftuan autoritetet, transmeton Anadolu.

Tridhjetë e dy persona janë identifikuar deri më tani, tha Shërbimi Mjekësor Ligjor i Kilit.

“Institucioni mjekoligjor shpreh ngushëllimet më të thella për familjet dhe miqtë e viktimave”, thuhet në një deklaratë.

Në të gjithë vendin ka 161 zjarre aktive, sipas Alvaro Hormazabal, drejtor i Shërbimit Kombëtar të Parandalimit dhe Reagimit ndaj Fatkeqësive. Kopshti botanik i themeluar në vitin 1931 në qytetin e Vina del Mar është shkatërruar pothuajse plotësisht nga flakët.

Autoritetet kanë kërkuar evakuimin e mijëra njerëzve nga shtëpitë e tyre dhe kanë vendosur orë policore në qytetet më të prekura nga zjarret për të hapur rrugët dhe për të lejuar automjetet e emergjencës të arrijnë në zonat e prekura. Në rrjetet sociale po qarkullojnë pamje tronditëse të qindra makinave të djegura nga zjarret, të cilat kanë shkatërruar lagje të tëra.

Më shumë se 200 persona janë raportuar të zhdukur në Vina del Mar dhe zonën përreth, një rajon i famshëm bregdetar për turistët gjatë pushimeve verore.

Presidenti Gabriel Boric paralajmëroi se numri i të vdekurve mund të përkeqësohet pasi zjarret e mëdha janë ende aktive në Valparaiso, ku zjarrfikësit po përpiqen të arrijnë në zonat me popullsi të dendur që janë përfshirë nga flakët masive.

Pasi vizitoi zonat e prekura, Boric shpalli dy ditë zie kombëtare për viktimat nga zjarri. Presidenti tha se erërat e forta po e bëjnë të vështirë punën e zjarrfikësve për të vënë nën kontroll zjarret, të cilat tashmë kanë djegur 8.000 hektarë pyje dhe zona urbane.

Zjarret shpërthyen pasi temperatura rekorde goditën vendin e Amerikës së Jugut për shkak të fenomenit El Nino që ka shkaktuar temperatura të larta dhe ka shkaktuar zjarre pyjore në disa vende të Amerikës Latine, përfshirë Kolumbinë, Ekuadorin dhe Argjentinën.