Zv/kancelari i Austrisë, Andreas Babler, ka deklaruar se vendi nuk do të përfshihet në “politikën kaotike” të presidentit amerikan, Donald Trump, duke shtuar se neutraliteti i Vjenës është i “panegociueshëm,” një parim që vlen edhe për fluturimet ushtarake amerikane mbi territorin e saj, transmeton Anadolu.
“Në dritën e fluturimeve të avionëve ushtarakë amerikanë në hapësirën ajrore austriake, nevojitet një vijë e qartë. Neutraliteti ynë është i panegociueshëm dhe duhet të respektohet vazhdimisht, veçanërisht tani”, shkroi Babler në rrjetin social X.
Ai theksoi se me këto fluturime duhet të shqyrtohen me kujdes edhe misionet që nuk hyjnë drejtpërdrejtë në zonat e konfliktit, por mbështesin veprime ushtarake.
“Nuk jemi pjesë e politikës kaotike të Trumpit dhe nuk duhet të lëshojmë asnjë hap këtu”, tha ai.
Austria ka ndjekur një politikë të gjatë neutraliteti që nga viti 1955, e cila ndalon anëtarësimin në aleanca ushtarake ose lejimin e bazave të huaja në territorin e saj.
Këto deklarata vijnë në muajin e dytë të luftës së SHBA-së dhe Izraelit kundër Iranit, e cila që nga 28 shkurti ka vrarë më shumë se 1.340 persona, përfshirë edhe liderin suprem të atëhershëm, Ali Khamenei. Irani është kundërpërgjigjur me sulme me dronë dhe raketa që synojnë Izraelin, Jordaninë, Irakun dhe shtetet e Gjirit që strehojnë forca amerikane.
Derisa presidenti Trump u ka bërë thirrje aleatëve evropianë të NATO-s të kontribuojnë me forca detare për të siguruar Ngushticën e Hormuzit, disa anëtarë kyç kanë refuzuar përfshirjen, duke theksuar dallimet strategjike dhe debatin mbi qëllimin e aleancës. Aleatët gjithashtu theksojnë se Trump e nisi luftën pa u konsultuar me ta.








