10 vjet në dializë, shteti s’i bën zgjidhje, kërkon ndihmë nga populli (VIDEO)

Ka një dekadë që po përballet me sëmundjen e veshkave.

Milaim Hasani thotë se nuk po mundet të përballojë dializën.

E shërim në Kosovë për të nuk ka.

“Kam kërkuar prej ministrisë, nuk ka kurgjo prej ministrisë së shëndetësisë, problem tash qëndron se këtu nuk ka shërim për mu, jam i interesuar të shkojë jashtë vendi për shërim, bile të kam një dializë të mirëfilltë, këtu mungojnë barnat elementare, unë kërkoj intervenim jashtë vendit prej ndonjë bamirësve dhe popullit, të më ndihmojë”

Thotë se barnat janë shumë të shtrenjta dhe se nuk merr asnjë ndihmë sociale nga shteti.

“Do barna që i përdori unë 3 herë në javë janë 15 e herë 18 euro në barnatore ti nuk mundesh mej kundërshtua, me këto kushte financiare nuk mundem me i përball ilaçet, pensionin e kam ndërsa ndihmat sociale mi kanë ndërpre”

Pohon se kohëve të fundit po i përkeqësohet gjendja, madje dy herë kishte mbetur në karrocë.

“Po edhe mka qit karrocë dy herë gjatë kësaj periudhe, kam luftue mos me met në karrocë, kam luftue mos me mbet shtrat”

Ai thotë se nga ndihma e shtetit ka hequr dorë. Rrugëdalje të vetme po e sheh ndihmën nga ndonjë bamirës.

“Kështu që e vetmja mundësi për mu është ndihma nga ndonjë bamirës, jo jo po jetojë jetën kështu deri sa të jetojë”

Nga Ministria e Shëndetësisë po e konfirmojnë se nëse pacientët nuk gjejnë donator ata nuk munden t’i dërgojnë për shërim jashtë vendit.

“MSh ka mbështetur pa dallim të gjithë pacientët që kanë qenë në dializë në procedura të transplantimit të veshkës jashtë vendit, në rastet kur pacientët apo familjarët e tyre kanë siguruar donatorin e veshkës. Në rast se ata nuk gjejnë donator, deri në këtë mundësi, të gjithë pacientët në hemodializë trajtohen falas në QKUK dhe në repartet e hemodializës në spitalet rajonale”.

Në Kosovë numri i personave që u nënshtrohen seancave të hemodializës është rreth 700, ndërsa çdo viti nga 23 prej tyre kërkojnë ndihmë për shërimin jashtë vendit.