12 persona të zhdukur pasi trageti u përfshi nga zjarri afër Greqisë

Giannis Plakiotakis

Dymbëdhjetë persona janë ende të zhdukur pasi një zjarr përfshiu një traget që lundronte nga Greqia në Itali herët të premten, thanë autoritetet greke të shtunën, ndërsa zjarrfikësit po luftonin për të vënë nën kontroll flakët.

Nga trageti Euroferry Olympia me flamur italian po dilnin ende shtëllunga tymi, treguan pamjet në televizionin shtetëror grek.

Gjithsej 241 pasagjerë dhe 51 anëtarë të ekuipazhit ishin në bord kur zjarri shpërtheu të premten.

Roja bregdetare greke ka thënë se 280 persona u shpëtuan, por 12 persona ishin ende të zhdukur nga trageti 183 metra, i cili mori flakë pranë ishullit të Korfuzit gjatë rrugës nga Igumenica, një port në Greqinë Perëndimore, për në portin italian të Brindisit, një udhëtim nëntë orësh.

Pasagjerët e zhdukur ishin nga Bullgaria, Greqia, Turqia dhe Lituania, bëri të ditur roja bregdetare greke.

“Zjarri po vazhdon ende dhe anijet zjarrfikëse janë përpjekur ta shuajnë atë”, ka thënë ministri i Transportit, Giannis Plakiotakis për televizionin Skai të shtunën. /koha