21 vjet nga masakra e Lubotenit, porositësi konsiderohet si hero – VIDEO

21 vite më parë banorët e Lubotenit u zgjuan nga zhurma e krismave të armëve dhe brutalitetit të njësiteve policore që atë ditë morën 10 jetëra të pafajshme dhe pas vete lanë shtëpi të shkrumosura e fshatarë të malltretuar e me pasoja të cilat i vuajnë edhe sot.

12 gushti për Lubotenasit është data që u rikujton atyre tmerrin e masakrave të vitit 2001. Mes frikës, tmerrit dhe memorieve të këqija, mbetet i paprekshëm kujtimi për 10 viktimat që humbën jetën 21 vite më parë. Për çdo vit fshatarët dhe drejtuesit e bashkësisë lokale kujtojnë përvjetorin e masakrës së vitit 2001, të kryer nga forcat policore me urdhër të Johan Tarçullovskit, në kohën kur ministër i brendhsëm ishte Lube Boshkovski. 21 vite më parë masakra e cila mori jehonë ndërkombëtare u krye vetëm një ditë para nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit. Nga ndërhyrja brutale e policisë së asaj kohe u vranë 10 civilë të këtij fshati mes të cilëve edhe një fëmijë 6 vjeçar, Erxhan Aiu. Viktimat e tjera të masakrës së Lubotenit ishin edhe Dalip Murati, Muharrem Ramadani, Memet Memeti, Rami Jusufi, Xhelal Bajrami, Kadri Jashari, Bajram Jashari, Sulejman Bajrami dhe Atulla Qaili.

Rasti i Lubotenit ishte një ndër rastet e vetme që u procedua dhe u gjykua nga Tribunali Ndërkombëtarë për Krime Lufte, me ç’rast për krimet e kryera ndaj civilëve shqiptarë u dënua ish-pjesëtari i lartë i forcave të sigurisë maqedonase, Johan Tarçullovski, ndërsa i akuzuari i parë ish-ministri i Brendshëm, Lube Boshkovski u lirua nga akuza.

Tarçullovski u dënua nga Gjykata e Hagës me 12 vjet burg për vrasje, thyerje të ligjeve të luftës, torturë dhe shkatërrim të pasurisë, por ai tanimë ndodhet në liri pas mbajtjes së 8 viteve burg.

Maqedonasit e konsiderojnë si hero Tarçullovski, madje qeveria e atëhershme VMRO-BDI kur doli ndga burgu organizoi një pritje madhështore për të. Avokatët e Tarçullovskit u paguan nga shteti, respektivisht edhe nga taksapaguesit shqiptarë.

Enis Murtezi /SHENJA/