23 vjet nga masakra e Poklekut dhe Çikatovës, Osmani dhe Konjufca: Nuk do ndalemi së kërkuari drejtësi për viktimat

Në 23 vjetorin e masakrës në Poklek dhe Çikaotvë të Drenasit, presidentja e vendit Vjosa Osmani dhe kryeparlamentari Glauk Konjufca, kanë bërë homazhe tek varrezat e të vrarëve në këtë masakër.

Presidentja Osmani potencoi faktin se në këtë ditë 23 vjet më parë, në tokën e Poklekut dhe Çikatovës së Vjetër u ekzekutuan dhe u dogjën 54 civilë, kryesisht gra dhe fëmijë.

“Në këtë ditë të trishtë për gjithë Kosovën po përkujtojmë një ndër masakrat më të tmerrshme ndaj popullatës civile. Në këtë varrezë që e shihni prehen 54 civilë, kryesisht gra dhe fëmijë. 24 fëmijë së bashku me familjarët e tyre jo vetëm që u ekzekutuan por edhe u dogjën disa herë radhazi, nga forcat serbe. Kjo masakër e kryer nga forcat serbe tregon qartë qëllimin e regjimit serb për shfarosjen e popullit shqiptar”, deklaroi ajo.

Tutje Osmani shtoi se kjo masakër, është dëshmi që regjimi i Millosheviçit donte t’i zhdukte shqiptarët dhe nuk duhet reshtur së kërkuari drejtësi, për krimet serbe në Kosovë.

“Secili prej nesh duhet që të vërtetën e Poklekut ta themi kudo, jo vetëm në Kosovë por në çdo vend të botës, në mënyrë që bota të dëgjojë dhe ta shoh dëshminë që kishte regjimi i Millosheviqit për të zhdukur shqiptarët nga Kosova. Kujtimi për ta do të jetë i përhershëm, ndërsa ne kurrë nuk do të ndalemi së kërkuari drejtësi”, tha Osmani.

E mendim të njëjtë me Presidenten, ka edhe Kryetari i Kuvendit Glauk Konjufca. Ai u shpreh se këto dhe masakrat e tjera në Kosovë janë plagë të hapura që vazhdojnë të kullojnë.

“Kjo është njëra prej masakrave më barbare dhe më mizore që ka bërë Serbia në Kosovë mbi popullin tonë të pambrojtur. Mos të harrojmë se në këtë masakër shumica prej të masakruarve janë fëmijë dhe gra që tregon se është njëra prej dëshmive më të qarta të gjenocidit që e ka bërë Serbia mbi popullin tonë. Kjo është ende një plagë e hapur dhe qe ende kullon”, deklaroi ai.

Për Konjufcën është i dhimbshëm fakti që kriminelët serb ata që i kryen këto krime në Kosovë enden të lirë dhe nuk ka drejtësi për viktimat e vrara.

“Për këtë masakër nuk ka pasur drejtësi, asnjë gjykim serioz nuk ka ndodhur deri tash për këta fëmijë e këto gra e burra që u masakruan nga paramilitarët e Serbisë. Përgjegjësia është shumë e qartë, por kriminelët enden të lirë në shtetin serb. Nuk duhemi të ndalemi duke kërkuar drejtësi për popullin tonë që e ka përjetuar këtë gjenocid”, ka thënë ai.

Ndërkaq sot bëhen 23 vjet nga masakra në fshatin Poklek dhe Çikatovë të Vjetër komuna e Drenasit, ku ushtria serbe ka masakruar dhe i ka vrarë, pastaj edhe i ka djegur kufomat e 77 shqiptarëve civilë të paarmatosur, duke filluar prej foshnjave gjashtëmuajshe e deri te pleqtë 75 vjeçar.

Aty pësuan fëmijë, të rinj, të reja, burra dhe pleq që u vranë, u masakruan dhe disa prej tyre u dogjën. Edhe pas dy dekadash, askush nga urdhërdhënësit dhe ekzekutorët nuk u ndëshkua nga drejtësia.