33 vite nga pavarësia e Maqedonisë së Veriut

Republika e Maqedonisë së Veriut shënon 33-vjetorin e pavarësisë së saj, raporton Anadolu.

Pas fitimit të pavarësisë, Maqedonia e Veriut vendosi disa synime strategjike për vete, veçanërisht anëtarësimi në Bashkimin Evropian (BE) dhe NATO.

Vendi u anëtarësua në NATO në vitin 2020, ndërsa synon të bëhet anëtare e plotë e BE-së në periudhën e ardhshme, edhe pse herë pas here është përballur me shumë pengesa.

Procesi i pavarësisë

Shpërbërja e Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë (RSFJ), pjesë e së cilës ishte vendi, ndodhi si rezultat i një vargu trazirash politike në fillim të viteve të 90’ta të shekullit të 20-të.

Në referendumin që u mbajt më 8 shtator të vitit 1991, qytetarët u deklaruan për shtet të pavarur dhe sovran. Pas shpalljes së pavarësisë, shtetësinë e Maqedonisë, ndër shtetet e para, e pranuan Türkiye dhe më pas edhe shtetet e tjera.
Pas votimit të deklaratës për sovranitet të shtetit, Kiro Gligorov u zgjodh presidenti i parë i Republikës së pavarur të Maqedonisë. Në aspektin monetar shteti u pavarësua me vendosjen e denarit më 26 prill të vitit 1992 ndërsa më pas formoi armatën, të cilën e shënon më 18 gusht.

Subjektiviteti juridiko-ndërkombëtar i shtetit përfundimisht u konfirmua më 8 prill të vitit 1993, kur me aklamacion në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara (AP-OKB), Maqedonia u pranua si anëtarja e 181-të e plotfuqishme e organizatës botërore.

Për shkak të kundërshtimit dhe presionit nga ana e Greqisë, që nuk e pranonte emrin kushtetues të Republikës së Maqedonisë, anëtarësimi në OKB u bë nën referencën e përkohshme: Ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë (IRJM).

Ndryshimi i emrit

Përgjatë viteve, negociatat për zgjidhjen e problemit me emrin me Greqinë kohë pas kohe vazhdonin dhe ndalonin.

Pas mbajtjes së negociatave për zgjidhjen e kontestit të emrit, që u zhvilluan nën sponsorizim të OKB-së, u arrit Marrëveshja e Prespës, e cila u nënshkrua në qershor të vitit 2018 në anën greke të Liqenit të Prespës.

Me nënshkrimin e marrëveshjes vijuan hapat e zbatimit të saj, siç janë mbajtja e referendumit në Maqedoninë e Veriut, që u zhvillua në shtator të vitit 2018.

Pyetja e referendumit ishte: “A jeni për anëtarësim në NATO dhe BE me pranimin e marrëveshjes mes Maqedonisë dhe Greqisë?”.

Në referendum, sipas të dhënave të Komisionit Shtetëror Zgjedhor (KSHZ), dolën 36,91 për qind e numrit të përgjithshëm të votuesve, prej të cilëve 91,46 për qind votuan “për”. Opozita e atëhershme e bojkotoi referendumin.

Negociatat për anëtarësim në BE

Maqedonia e Veriut më 19 korrik të vitit 2022 bashkë me Shqipërinë arriti të fillojë negociatat e aderimit me BE-në, duke e mbajtur konferencën e parë ndërqeveritare.

Maqedonia e Veriut e cila në vitin 2005 fitoi statusin e “vendit kandidat”, pasi të bëjë ndryshimet kushtetuese që rrjedhin nga protokolli bilateral i nënshkruar me Bullgarinë, pritet të fillojë të hapë kapitujt për anëtarësim në BE.

Maqedonia e Veriut, e cila filloi negociatat e anëtarësimit me BE-në duke mbajtur konferencën e saj të parë ndërqeveritare vitin e kaluar, duhet të përfshijë bullgarët në kushtetutën e saj.

Maqedonia e Veriut nuk mund të hapë kapitull me BE-në pa përfshirë bullgarët në kushtetutë, ndërsa për ndryshimet kushtetuese nevojitet një shumicë prej dy të tretave të Kuvendit, pra 80 deputetë që kjo të ndodhë.

Propozimi për fillimin e ndryshimeve kushtetuese parashikon ndryshime në Preambulën e Kushtetutës dhe përmendjen e popullit bullgar, popullit kroat, popullit malazez, popullit slloven, popullit hebre dhe popullit egjiptian.

President dhe qeveri e re

Në Maqedoninë e Veriut, këtë vit më 8 maj u mbajtën zgjedhjet presidenciale, ku fituese doli Gordana Siljanovska Davkova, duke u bërë presidentja e parë femër e vendit.

Davkova, ishte mbështetur nga aleanca e udhëhequr nga VMRO-DPMNE, parti e cila në zgjedhjet parlamentare që u mbajtën në të njëjtën ditë me raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale, doli e para.

Është çështje kurioziteti se çfarë rruge do të ndjekë VMRO-DPMNE, e cila kundërshtoi edhe referendumin për ndryshimin e emrit në vitin 2018, në periudhën e re në marrëdhëniet me fqinjët, veçanërisht në marrëdhëniet me BE-në.