Me rastin e 40 vjetorit të themelimit të revistës fetare, shkencore e kulturore “Dituria Islame”, këtë të marte u organizua një akademi solemne. Në të u theksua rëndësia që pati kjo intervist gjatë viteve më të vështira në Kosovë.
40-vjetorit i revistës “Dituria Islame”, mbledh personalitetet e njohura të vendit
Ishte qershori i vitit 1986.
E nga shtypi doli numri i parë i revistës “Dituria Islame”.
Krejt kjo, në kohën kur shqiptarët e Kosovës, po përballeshin me shtypjen e vazhdueshme të regjimit serb.
Por, kjo revistë mujore, nuk u kufizua vetëm më përmbajtje fetare.
Revista e krijuar nga Bashkësia Islame e Kosovës, shërbeu edhe si mjet informues për ngjarjet më të rëndësishme të kohës.
E pikërisht, 40 vjetori i saj, mblodhi në ambientet e Fakultetit të Studimeve Islame, personalitete të njohura të vendit.
Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, tha se “Dituria Islame” shërbeu si një zë i fuqishëm i ruajtjes së identitetit shqiptar.
“Revista ‘Dituria Islame’ nuk u kufizua në rolin e një organi informues fetar, ajo u shndërrua në një qendër të mendimit dhe edukimit, në një tribunë të afirmimit të vlerave islame e kombëtare dhe në një zë të fuqishëm të ruajtjes së identitetit përmes faqeve të saj. Revista dokumentoi zhvillimet historike të kohës, ndihmoi në ngritjen kulturore e shpirtërore dhe kontribuoi në mbajtjen gjallë të aspiratave intelektuale e kombëtare të shqiptarëve në rrethana të vështira politike”, tha Tërnava.
Kjo revistë, u tha se nuk e ndali botimin as në ditët më të vështira.
Për këtë, fjalë të mëdha për të, pati edhe kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti.
“Kosova nën okupim, gjatë viteve ’90, gjersa liria e shprehjes dhe informimit në gjuhën shqipe u përballën me kufizimet e rrepta, revista ‘Dituria Islame’ e ruajti dhe e vazhdoi botimin dhe shërbeu si hapësirë informimi, reflektimi dhe dokumentimi për zhvillimet të cilat e preknin shoqërinë tonë. Përmes faqeve të saj, u pasqyruan sfidat me të cilat përballeshin qytetarët e Kosovës, si dhe ngjarje të rëndësishme të kohës”, tha Kurti.
Ndërsa kryeredaktori i revistës “Dituria Islame”, Driton Arifi, tha se misioni i revistës që nga themelimi është fisnik.
“Në trojet shqiptare e në historinë tonë, kanë ekzistuar revista të shkuara, që lanë gjurmë të pashlyeshme në rrjedhat historike shqiptare. Ishte ‘Albania’ e Konicës, revista ‘Dituria’, ‘Drita’, pastaj publicistika islame, ‘Zani i Naltë’, ‘Kultura Islame’, të cilat për rrethana të pafavorshme u shuan, për t’u rikthyer në skenë pas një periudhe të mbylljes të sistemit ateist monist. Edhe ‘Dituria Islame’, në fakt, është themeluar në rrethana jo të lehta, madje shumë të vështira. Por fatmirësisht, falë Zotit dhe pastaj kontributit të çmuar, të atyre që dhanë më të çmueshmen e tyre, kjo, përpos që arriti të mbijetojë”, u shpreh Arifi.
Në fund të kësaj akademie solemne, nuk u harruan as ata që kontribuuan në këtë revistë.








