45 vjeçari nga Kosova dëbohet nga Zvicra pas 40 vjet qëndrimi

Një 45 vjeçar nga Kosova duhet ta lëshojë shtetin zviceran pas plot 40 vjet qëndrimi.

Kështu ka vendosur Gjykata Federale.

Arsyeja pse e këtij vendimi është se ky kishte rënë shumë herë në kundërshtim me ligjin.

Ai dyshohet se kishte vjedhur vegla të ndërtimarisë në vlerë prej 230 mijë frangash, dyshohet më pas se ai i kishte shitur ato në vendlindje.

Por kjo nuk është vepra e vetme që ishte përfshirë. Kosovari u dënua në vitin 2005 me katër vite e nëntë mua burgim nga Gjykata e Badenit për 53 kilogramë drogë.

45 vjeçari u dënua edhe në vitin 2014-të me pesë muaj e gjysmë burgim.

Sipas Gjykatës kosovari duhet ta kryejë dënimin më së largu deri në vitin 2021, shkruan Aargauer Zeitung përcjellë Klan Kosova.

Ai kishte ushtruar të drejtën e ankesës fillimisht në Departamentin Kantonal të Punëve të Brendshme dhe pastaj në Gjykatën Kantonale Administrative.

Tek të dyjat mori përgjigje negative, duke ushtruar ankesë edhe në shkallën më të lartë të gjyqësisë së Zvicrës, në Gjykatën Federale. Por edhe këtu doli duarthatë.

Gjykata Federale ka vërtetuar vendimet e shkallëve të mëparshme për dëbimin e kosovarit. Gjegjësisht, për heqjen e lejes së qëndrimit të përhershëm në Zvicër (Viza C).

Këtë vendim gjykata e ka marrë duke pasur parasysh se rreziku për përsëritje është evident dhe për këtë arsye dëbimi është interes publik.

Veç kësaj as paralajmërimet dhe as dënimi i parë me burg nuk e kishin ndalur të dënuarin nga kryerja e delikteve tjera.

“Ushtruesi i ankesës nuk i ka shfrytëzuar shanset që i janë ofruar dhe paralajmërimet nuk i ka marrë seriozisht. Si përfundim, ai duhet t`i bartë pasojat përkatëse të gjithë kësaj”, thuhet në vendimin e Gjykatës Federale të Zvicrës.

I dyshuari kishte ardhur në Zvicër qysh në moshën 5 vjeçare.

Është baba i dy fëmijëve.