Ballina Lajmet Rajon dhe Botë 5 persona humbin jetën në Itali, alarmi i kuq për vapën zgjerohet...

5 persona humbin jetën në Itali, alarmi i kuq për vapën zgjerohet në 18 qytete mes intensifikimit të valës së të nxehtit

Pesë persona kanë humbur jetën në Itali si pasojë e valës intensive të të nxehtit që ka përfshirë vendin, ndërsa autoritetet zgjeruan nivelin më të lartë të alarmit për vapën në 18 qytete për ditën e sotme, nga 17 që ishte dje, transmeton Anadolu.

Agjencia e lajmeve ANSA raportoi se viktimat përfshijnë dy fermerë në provincat veriore Lodi dhe Piacenza, një person të pastrehë në Napoli dhe një burrë që humbi jetën në një varrezë në Garlasco pranë Pavias në rajonin e Lombardisë.

Italia vazhdon të përballet me temperatura jashtëzakonisht të larta që po prekin pjesë të mëdha të vendit.

Vendimi u mor pasi një komitet teknik i kryesuar nga ministri i Shëndetësisë, Orazio Schillaci, u mblodh dje për të diskutuar masa shtesë për përballimin e vapës ekstreme.

Qyteti i Genovas iu shtua listës së qyteteve nën alarm të kuq, duke iu bashkuar Romës, Milanos, Firences, Venecias, Torinos, Bolonjës, Barit, Ankonës, Bolzanos, Brescias, Frosinones, Latinës, Perugias, Pescarës, Rietit, Veronës dhe Viterbos.

Alarmi i kuq nënkupton kushte atmosferike aq të rënda sa paraqesin rrezik për shëndetin jo vetëm për grupet e cenueshme, si të moshuarit, fëmijët dhe personat me sëmundje kronike, por edhe për individët e shëndetshëm.

Vala e të nxehtit ka shkaktuar gjithashtu ndërprerje në funksionimin e vendeve kulturore dhe shërbimeve publike. Galeritë Uffizi në Firence njoftuan se shitja e biletave do të mbetet e pezulluar të paktën deri më 28 qershor, pasi një defekt në sistemin e ajrit të kondicionuar detyroi muzeun të ndalojë pranimin e vizitorëve.

Dy kate të Shtëpisë së Zhuljetës, një prej atraksioneve turistike më të njohura të Veronës, do të mbyllen për vizitorët duke filluar nga nesër për shkak të vapës dhe mbipopullimit.

Edhe seancat gjyqësore në qytetin jugor Palermo u pezulluan për shkak të temperaturave të larta.

Në Milano, turistët u panë duke mbajtur çadra dhe ventilatorë dore ndërsa kërkonin freski pranë shatërvanëve rreth katedrales së famshme Duomo. Mediat lokale raportuan gjithashtu për një rritje prej 20 për qind të pranimeve në repartet e urgjencës në të gjithë rajonin e Lombardisë, ndërsa vala e të nxehtit është intensifikuar.

Meteorologët presin që temperaturat të arrijnë kulmin gjatë fundjavës.

Italia është një nga disa vendet evropiane që po përballen me temperatura të larta në fillim të sezonit veror.