Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Koreja e Veriut teston artileri dhe sisteme raketash të përmirësuara

Koreja e Veriut teston artileri dhe sisteme raketash të përmirësuara

Koreja e Veriut kreu teste të sistemeve të përmirësuara të artilerisë dhe raketave ndërsa udhëheqësi Kim Jong Un ripohoi angazhimin e qeverisë së tij për të forcuar aftësitë ushtarake të vendit, njoftoi sot agjencia shtetërore e lajmeve KCNA, transmeton Anadolu.

Kim mbikëqyri testet të enjten si pjesë e një plani pesëvjeçar të modernizimit të mbrojtjes kombëtare.

Stërvitjet vlerësuan performancën luftarake të një lëshuesi të përmirësuar të raketave të shumëfishta me 24 gypa të kalibrit 240 mm, një raketë balistike taktike të pajisur me një kokë lufte për misione speciale si dhe predhave të obusëve vetëlëvizës të kalibrit 155 mm me rreze të gjatë.

Lëshuesi i shumëfishtë i përmirësuar tani ka rreze qitjeje prej 90 kilometrash dhe përmban sisteme të automatizuara të kontrollit të zjarrit me teknologji precize të vetëdrejtuar. Koka speciale e raketës taktike është projektuar për të goditur objektivat strategjikë, përfshirë fushat ajrore, portet dhe objektet e energjisë ndërsa predhat e reja të artilerisë kanë rreze efektive prej 65 kilometrash.

Kim tha se testet demonstruan “progresin e madh teknologjik” të arritur nën politikën e modernizimit ushtarak të Partisë së Punëtorëve në pushtet. “Situata aktuale ndërkombëtare, në të cilën sovraniteti mund të mbrohet dhe ekzistenca mund të garantohet vetëm nga epërsia e plotë, e bën të panevojshme shtimin e çdo retorike për të shpjeguar pse forcimi i aftësive mbrojtëse është puna e parë e domosdoshme kombëtare strategjike”, citohet të ketë thënë Kim.

Ai shtoi se politika e Phenianit synon jo vetëm të forcojë aftësitë mbrojtëse, por edhe të ndërtojë “një qëndrim sulmues vdekjeprurës dhe shkatërrues” që do të pengonte kundërshtarët e mundshëm.

“Ne do t’i bëjmë armiqtë të kuptojnë se mjetet e goditjes me rreze të gjatë të forcave tona të armatosura janë zëvendësuar me ato të përmirësuara në kohën më të shkurtër të mundshme”, tha Kim.