8 gjëra që për shqiptarët janë sukses, por që s’kanë lidhje me suksesin

Nëse kaloni gjysmë ore në internet duke ndenjur në Facebook a duke shfletuar faqen tuaj të preferuar, do t’ju zërë syri patjetër disa artikuj që flasin për suksesin, përmirësimin e vetes, si të shfrytëzosh potencialin e si t’ja dalësh mbanë në shkollë, karrierë e më tej.

Janë të vlefshëm, absolutisht, por kur i krahason me atë që shqiptarët konsiderojnë sukses, duket sikur këshillat në internet vijnë nga një botë tjetër.

Ç’quhet sukses: Të jesh me të gjitha dhjeta. Mendoni për gjithë kushërinjtë, të afërmit, komshinjtë që takoni një herë në kaq. Të gjithë thonë që janë me të gjitha dhjeta, si për të thënë që janë më të suksesshëm, më dominantë se ty e se të tjerët.

Pse nuk është sukses: Në cilëndo hallkë të zinxhirit arsimor të jesh, fokusi i një studenti duhet të jetë tek të nxënit. Nota është sekondare. Ideja e shkollës është të nxjerrë qytetarë të aftë për veten dhe për shoqërinë dhe nëse mëson për të marrë notë, shkolla ka dështuar.

Në vetvete, të jesh nxënës a student absolut është arritje, por vetëm nëse shoqërohet me dije reale e të qëndrueshme.

Ç’quhet sukses: Numri i followers-ave në Instagram. Një moment historik modern në jetën e të rinjve. Domosdoshëmrisht, duhet të kesh më shumë ndjekës se sa persona që ndjek. Nëse ndjekësit arrijnë katër shifra, akoma më mirë. I thonë vëmendje, interes, të qenit cool.

Pse nuk është sukses: Pa u përpjekur të demonizojmë rrjetet sociale, pasi e dimë që janë qejf dhe argëtuese, asnjë e mirë nuk vjen nga numri masiv i followers-ave.

Përveç rasteve kur përdoren për promocion, numri i ndjekësve në Instagram nuk ndikon në cilësinë e jetës, rehatinë me veten, sukseset profesionale apo personale.

Ç’quhet sukses: Të kapësh një shkollë. Një të mirë. Ekonomikun ose juridikun. Ose nëse do vërtet t’i bësh qejfin prindërve, mjekësinë. Mjaft ta kapësh.

Pse nuk është sukses: I kushtohet më tepër rëndësi kapjes së shkollës sesa qëllimit pas kapjes së shkollës. Ka studentë që preferojnë rrugë të tjera karriere. Duan të jenë profesionistë të lirë, të udhëtojnë botën, duan të shkruajnë, të bëhen blogerë, e më the e të thashë.

Rriten nën trysinën e kapjes së shkollës e i anashkalojnë tërësisht mundësitë e tjera që ofron jeta. Për më tepër, shumë harrojnë se duhet të bëjnë një shkollë që u pëlqen, për të ecur përpara e për ta përdorur atë diplomë për mirë.

Ç’quhet sukses: Një punë në shtet. Administrata shtetërore është parajasa e premtuar ku çdo festë kombëtare dhe fundjavat janë pushim. Nga tetë orë, punohet katër dhe s’të rri kush mbi kokë.

Pse nuk është sukses: Si fillim, mund të mos ju pëlqejë fare puna dhe me kalimin e kohës bëheni punonjës të demotivuar, të mërzitur me profesionin e jetën në përgjithësi. Sado të thuash është thjesht një punë, në atë punë kalon shumicën e ditës e jetës.

Puna në shtet, ofron pak për të mos thënë aspak, mundësi për t’u rritur profesionalisht. Qëllimi është rehatia që ofron, por a mund të arrish gjë në jetë nëse synon të jesh rehat?

Ç’quhet sukses: Të gjesh një burrë, mundësisht me lekë. Në momentin që mbush 18 vjeç për disa, e në momentin që mbaron fakultetin për disa të tjerë, nisin presionet për të lidhur jetën me dikë. Familja ka kritere.

Duhet i gjatë, i pashëm, i mbajtur,  i suksesshëm, familje e mirë, i keni parasysh.

Pse nuk është sukses: Duhet të jetë partner dhe i përshtatshëm me ty para se të jetë gjithë të mësipërmet. Duhet të kuptoheni, të mendoni në të njëjtën linjë, të keni qëllime të përbashkëta, të rriteni me njëri-tjetrin.

Sepse, fundja fare qëllimi është mirëqënia dhe s’mund të jesh mirë vetëm duke pasur lek.

Ç’quhet sukses: Një dasmë përrallore, oshëtima e të cilës vazhdon e kumbon vite më vonë. Sa më gjigande, sa më e shtrenjtë, sa më e kuruar, aq më mirë.

Pse nuk është sukses: Dasma supozohet të jetë një celebrim i martesës dhe gjithë naivitet, vëmendja i kushtohet dasmës, kur në fakt i duhet kushtuar martesës. Është thjesht një event, i parëndësishëm kur e mendon.

Një mënyrë për të shfaqur pasurinë dhe gjendjen ekonomike.

Ç’quhet sukses: Të kesh shtëpinë tënde. Sa e sa herë ka ndodhur që njerëzit rrudhin buzët kur dëgjojnë që dikush jeton në një shtëpi me qera.

Pse nuk është sukses: Të zgjedhësh të jetosh me qera nuk vjen vetëm si pasojë e pamundësive ekonomike. Dikush jeton me qera për ta përballur jetën vetëm, larg çadrës mbrojtëse të prindërve. Dikush jeton me qera për të qenë më afër punës.

Dikush tjetër thjesht nuk e përballon dot blerjen e një shtëpie dhe po bën më të mirën e mundshme. Gjykimi është i panevojshëm këtu.

Ç’quhet sukses: Të ikësh jashtë shtetit dhe të qëndrosh atje. Nëse shtrohesh dhe rehatohesh gjëkundi jashtë vendi ky quhet sukses, por nëse vendos të kthehesh, zëre se s’ndodhi kurrë.

Pse nuk është sukses: Në po të njëjtën linjë me më lart, njerëzit kanë mijëra arsye pas zgjedhjeve që bëjnë. Mund të ndihen të vetmuar jashtë, mund t’u ofrohet një jetë më e mirë në Shqipëri, mund të duan të hapin një biznes në vend, mund të duan të edukohën këtu, pasi kushton më pak.

Sërish, gjykimi është i pavend./Mesazhi/