Kreu i Shoqatës së Rezervistëve Gjermanë, Bastian Ernst, ka bërë thirrje për një rritje të konsiderueshme të kufirit të moshës për rezervistët, me qëllim për të forcuar kapacitetet mbrojtëse të vendit, transmeton Anadolu.
“Duhet ta rrisim kufirin e moshës për rezervistët nga 65 në 70 vjeç”, tha ai për rrjetin mediatik RedaktionsNetzwerk Deutschland, duke theksuar se edhe mosha e pensionit po rritet.
“Njerëzit po qëndrojnë aktivë më gjatë. Nuk duhet të shpërdorojmë burimet që ofrohen nga njerëzit me përvojë jetësore dhe profesionale. Dhe nëse ankohemi për mungesë të të rinjve në një skaj të piramidës së moshës, duhet të bëjmë përmirësime edhe në skajin tjetër”, shtoi ai.
Ministri i Mbrojtjes, Boris Pistorius, pritet që nesër të paraqesë strategjinë ushtarake të Gjermanisë dhe profilin e ri të kapaciteteve të Bundeswehr-it, me synimin për të treguar se si vendi i tij do t’i përballojë kërcënimet ushtarake.
Rezervistët e Bundeswehr-it aktualisht nuk janë të detyruar të marrin pjesë në stërvitje ushtarake. Ashtu si punëdhënësit e tyre, ata duhet të japin pëlqimin për të marrë pjesë në një stërvitje ushtarake. Ky parim i vullnetarizmit ka qenë prej kohësh objekt kritikash.
Deri në vitin 2035, Bundeswehr-i pritet të rritet në të paktën 260 mijë ushtarë aktivë dhe 200 mijë rezervistë. Kjo forcë rezervë do të ndërtohet kryesisht nga burrat dhe gratë që kryejnë shërbimin e ri të detyrueshëm ushtarak, për të cilin korniza ligjore është vendosur që në fillim të këtij viti.
Siç thotë Ernst, aktualisht nuk është e qartë saktësisht se sa rezervistë ka. Ajo që dihet është se 8 deri në 9 milionë njerëz kanë shërbyer në Bundeswehr dhe rreth 60 mijë rezervistë janë thirrur, që do të thotë se janë të planifikuar në mënyrë të qëndrueshme nga Bundeswehr-i dhe kështu të gatshëm për përdorim.
Shoqata e rezervistëve ka rreth 110 mijë anëtarë.





