Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Princi kthehet me këmbë në tokë…

Princi kthehet me këmbë në tokë…

Heq dorë nga projektet përrallore që kushtojnë “qimet e kokës” dhe po fokusohet tek projektet efikase

Një dekadë pasi Princi i Kurorës, Mohammed bin Salman, prezantoi programin e tij ambicioz “Vizioni 2030’ për të transformuar ekonominë e Arabisë Saudite, mbretëria po përballet me sforcime financiare dhe po rishikon me urgjencë trajektoren e saj.

Siç raporton NYT, dhjetë vjet më parë, princi 30-vjeçar premtoi t’i jepte fund “varësisë” së vendit nga nafta, por realiteti i sotëm tregon se ky mision ka rezultuar më i vështirë se sa pritej.

Kur çmimet e naftës u rritën në vitet 2021-2022, princi nisi një serë projektesh marramendëse: një resort gjigant skijimi në mes të shkretëtirës, një rrokaqiell në formë kubi dhe një ligë globale golfi.

Megjithatë, rënia e çmimeve dhe lufta e fundit midis SHBA-Izraelit dhe Iranit, e cila pengoi eksportet në Ngushticën e Hormuzit, i kanë detyruar zyrtarët të kërkojnë kursime.

Tashmë në moshën 40-vjeçare, Princi Mohammed po përballet me përvjetorin e dhjetë të programit të tij në një pozicion mbrojtës.

Guvernatori i fondit sovran prej një trilion dollarësh, Yasir al-Rumayyan, njoftoi një strategji të re ku fjala kyçe është “efikasiteti”. Sipas NYT, bordi u ka kërkuar drejtuesve të identifikojnë projektet “e domosdoshme” dhe të lënë mënjanë ato që konsiderohen thjesht si “dëshira të bukura”.

Pasojat e para janë të dukshme. Lajmet sugjerojnë se fondi mund të tërhiqet nga mbështetja për “LIV Golf”, ndërsa qyteti i skijimit, Trojena. Edhe rrokaqielli gjigant “Mukaab” mund të pësojnë të njëjtin fat.

Në fakt, Komiteti Olimpik saudit sapo njoftoi se Lojërat Dimërore Aziatike të vitit 2029 nuk do të mbahen në Trojena, por në Kazakistan, ku bora është natyrale.

“Historia nis gjithmonë dhe mbaron me naftën”- thonë ekonomistët për NYT. Megjithëse qeveria ka prezantuar taksa të reja për të diversifikuar të ardhurat, ambiciet e princit janë rritur më shpejt se kapaciteti financiar i shtetit.

Ministria e Financave ka regjistruar deficit buxhetor pothuajse çdo vit në dekadën e fundit. Ndaj pragmatizmi i ri i princit saudit, po mirëpritet nga mbështetësit e tij si një lëvizje normale biznesi, ku anulohen projektet që nuk rezultojnë fizibël.

Por kritikët dhe opozita në mërgim ngrenë pikëpyetje mbi mungesën e transparencës dhe miliardat e shpenzuara tashmë. Ata përmendin rastin e “Neom”, ku komunitete të tëra u zhvendosën për ndërtime që tani mund të mos përfundojnë kurrë.

Pavarësisht shkurtimeve, princi nuk ka hequr dorë nga gjithçka. Ai po vazhdon të investojë fuqishëm në video lojëra – një pasion personal i tij – dhe po i jep përparësi Inteligjencës Artificiale, World Expo 2030 dhe Botërorit të Futbollit 2034.

Në fund të kësaj dekade transformuese, Arabia Saudite mbetet një vend në mes të dy botëve: njërës që synon të ardhmen teknologjike dhe një tjetër që mbetet e lidhur fort pas lëndëve djegëse fosile.

Siç vëren NYT, nëse çmimet e naftës rriten përsëri, askush nuk duhet të habitet nëse princi shpall një tjetër projekt fantastiko-shkencor, duke treguar se shkëputja nga varësia e vjetër është ende një rrugë e gjatë. /tesheshi