Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka bërë të ditur se Washingtoni do të zgjasë armëpushimin me Iranin për të dhënë kohë që Teherani të përgatisë një “propozim të unifikuar”, pas një kërkese nga zyrtarët pakistanezë, transmeton Anadolu.
Në platformën e tij të rrjeteve sociale Truth Social, Trump tha se SHBA-së iu kërkua nga shefi i ushtrisë së Pakistanit, Asim Munir dhe kryeministri Shehbaz Sharif që të shtyjë veprimet e reja ushtarake kundër Iranit derisa udhëheqësit e tyre të “dalin me një propozim të unifikuar”.
“Prandaj kam udhëzuar ushtrinë tonë të vazhdojë bllokadën dhe në të gjitha aspektet e tjera të mbetet e gatshme dhe e aftë dhe për rrjedhojë do të zgjas armëpushimin deri në momentin kur propozimi i tyre të dorëzohet dhe diskutimet të përfundojnë, në një mënyrë apo në tjetrën”, tha ai.
Trump gjithashtu theksoi se udhëheqja e Iranit ishte “thellësisht e përçarë”.
Njoftimi vjen në një kohë kur një delegacion amerikan i udhëhequr nga zv/presidenti JD Vance pritej të udhëtonte drejt Islamabadit për një raund të dytë bisedimesh ballë për ballë me Iranin, megjithëse, sipas zyrtarëve amerikanë, udhëtimi u shty për shkak të “takimeve shtesë politike” në Shtëpinë e Bardhë.
Negociatat do të pasonin një raund fillestar bisedimesh të nivelit të lartë në Pakistan në fillim të këtij muaji, i cili përfundoi pa një përparim.
Armëpushimi, i shpallur fillimisht më herët këtë muaj, ishte planifikuar të përfundonte të mërkurën.






