Frika nga ndryshimet politike në SHBA dhe fuqizimi i Iranit po diktojnë ritmin rekord të vendbanimeve të reja
Izraeli po miraton ndërtimin e vendbanimeve të reja në Bregun Perëndimor me një ritëm të paparë. Kabineti i Benjamin Netanyahut miratoi 34 vendbanime të reja vetëm javën e kaluar, duke e çuar numrin total në 103.
Ky është grupi më i madh i miratimeve në dekada, duke thyer rekordin e qershorit 2025. Koha e këtij vendimi sugjeron se Izraeli po shfrytëzon një “dritare mundësie” që po mbyllet.
Analistët besojnë se Izraeli synon të çimentojë projektin e tij kolonial përpara se realitetet e reja politike t’i japin fund epokës së pandëshkueshmërisë.
Kjo lidhet veçanërisht me mundësinë që Irani të dalë i paprekur nga lufta dhe me rrezikun që republikanët e Trump të humbasin zgjedhjet e mesmandatit në SHBA.
Padurimi i Izraelit vjen edhe nga frika e humbjes së pushtetit brenda vendit. Sondazhet tregojnë se koalicioni i Netanyahut, i mbështetur nga ministrat e linjës së ashpër si Smotrich dhe Ben-Gvir, ka pak shanse për fitore në zgjedhjet e ardhshme.
Pas dështimeve të sigurisë më 7 tetor 2023 dhe armëpushimit të detyruar në Liban, Netanyahu ka nevojë për një “fitore” politike përmes zgjerimit të territoreve.
Jamal Jumaa, koordinator i fushatës “Stop the Wall”, shpjegon se Izraeli ka frikë se një fitore e Partisë Demokratike në SHBA mund të kufizojë lirinë e tij për të vepruar në rajon.
“Administrata e ardhshme, mund të mos jetë dhe aq në përputhje me dëshirat e Izraelit”- thotë Jumaa. Natyra e këtij zgjerimi është agresive. Tetë nga vendbanimet e reja do të ndërtohen në Zonën B, e cila sipas Marrëveshjeve të Oslos duhej të ishte nën administrim të përbashkët.
Ky hap i shtyn palestinezët drejt izolimit total, duke i bllokuar ata brenda zonave të ngushta urbane dhe duke pamundësuar krijimin e një shteti funksional.
Pra Izraeli dëshiron të krijojë një situatë de facto aneksimi përpara se çështja e Palestinës të rikthehet në krye të agjendës ndërkombëtare.
Ndërsa vëmendja botërore është e fokusuar te luftërat rajonale, Izraeli po ndryshon realitetet në terren. Për palestinezët në Bregun Perëndimor, kjo përkthehet në dhunë të shtuar.
Që nga tetori 2023, të paktën 1.000 palestinezë janë vrarë nga forcat izraelite ose kolonët e armatosur, të cilët veprojnë me mbështetjen e heshtur të qeverisë. /tesheshi







