A është e gatshme Kosova për testin PISA?

Jyxhel Spahi

Çdo vend e mat statusin arsimor dhe rezultatet arsimore përmes disa kritereve të vlerësimit, por këto matje shpesh nuk arrijnë të zbulojnë interpretime kuptimplota. Për këtë arsye, Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD), përmes testit PISA, ka arritur në rezultate më domethënëse dhe më realiste, duke i bërë këto matje në mënyrë krahasuese ndërmjet vendeve të ndryshme.

Jyxhel SPAHI, Prizren

Ka shumë mënyra se si një vend mund të arrijë nivelin e tij të zhvillimit. Shumica e vendeve e cilësojnë arsimin si mënyrë më e shpejtë për të arritur një nivel të lartë të zhvillimit. Madje, në epokën e fundit, një pjesë e madhe e vendeve janë përqendruar në zhvillimin teknologjik, gjë që po konsiderohet si domosdoshmëri e kohës, dhe e cila arrihet vetëm me gjenerata të orientuara për një arsimim cilësor. Shërbimet e arsimimit cilësor varen nga politikat shtetërore, si dhe nga masa e investimit për këtë sferë. Arsimi është një nga investimet afatgjata, më fitimprurëse dhe është një proces që në thelb i shërben individit dhe shoqërisë në përgjithësi. Në këtë kontekst, vendet e zhvilluara dhe ato në zhvillim në vazhdimësi janë duke e rritur masën e investimit në arsim.
Nëpërmjet edukimit cilësor, pritet që nxënësit të fitojnë njohuri, aftësi dhe sjellje që prodhojnë zgjidhje efektive për problemet me të cilat do të përballen në jetën reale. Por, kjo situatë lidhet drejtpërdrejt me çështjen nëse procesi i arsimit zhvillohet në mënyrë efektive apo jo. Me fjalë të tjera, nëse arsimi ofrohet sipas standardeve të kërkuara. Kështu janë zhvilluar disa mjete për ta matur efikasitetin e investimeve të tyre në arsim. Çdo vend e mat statusin arsimor dhe rezultatet arsimore përmes disa kritereve të vlerësimit, por këto matje shpesh nuk arrijnë të zbulojnë interpretime kuptimplota. Për këtë arsye, Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD), përmes testit PISA, ka arritur në rezultate më domethënëse dhe më realiste, duke i bërë këto matje në mënyrë krahasuese ndërmjet vendeve të ndryshme. Vendet anëtare të OECD-së kanë rezultate dhe informacione për shumë variabla të ndryshme në fushën e arsimit. Selia e OECD-së e merr këtë informacion nga të gjitha vendet anëtare dhe partnere dhe i publikon rezultatet në mënyrë krahasuese në raportet e saj. Pra, testi PISA është i pari me këto të dhëna.
Në mbarë botën, politikëbërësit i përdorin rezultatet e provimeve për t’i krahasuar nivelet e njohurive dhe aftësive të nxënësve të tyre me nivelet e njohurive dhe aftësive të nxënësve të vendeve të tjera pjesëmarrëse në PISA. Pjesëmarrja në këtë test ndihmon për të krijuar standarde, për ta ngritur nivelin e arsimit dhe për t’i përcaktuar pikat e forta dhe të dobëta të sistemit arsimor. Përsëri, vendet e zhvilluara dhe ato në zhvillim i përdorin këto të dhëna për të marrë informacion rreth vendit ku ndodhen, statusin e tyre arsimor, si dhe nivelet e tyre të suksesit, duke krahasuar nivelet e tyre arsimore me vendet e tjera. Vendet i përdorin këto rezultate arsimore në zhvillimin e programeve, trajnimin e mësuesve dhe zhvillimin efektiv të politikave arsimore. Po ashtu, testi PISA (International Student Assessment Project) bën matjen e suksesit të nxënësve në shkallë ndërkombëtare. Pra, këto janë projekte që lejojnë vendet pjesëmarrëse që ta vlerësojnë sistemin e tyre arsimor, t’i monitorojnë arritjet e nxënësve të tyre në matematikë, shkencë dhe lexim, të cilat edhe ofrojnë të dhëna të rëndësishme për efektivitetin e sistemeve të arsimit të vendeve pjesëmarrëse. Në këtë kontekst, edhe Kosova që nga viti 2015 merr pjesë në testin PISA për ta përcaktuar nivelin e arsimimit dhe faktorët që ndikojnë në suksesin e saj.

Testi PISA dhe Kosova

Në Kosovë, që nga paslufta, në fushën e arsimit, por edhe fushat të tjera, nuk është arritur ndonjë progres i mjaftueshëm. Mund të numërohen një sërë arsyesh për gjendjen e arsimit në Kosovë. Madje, lidhur me këtë problematikë janë zhvilluar debate të shumta televizive, janë publikuar raporte të ndryshme, janë bërë studime, si dhe lajme të ndryshme, të cilat kryesisht kanë qenë kritike.
Implementimi i testit PISA ka filluar në vitin 2000, ndërsa është organizuar nga OECD. Nga viti 2015, kur nxënësit e Republikës së Kosovës janë përfshirë në provimin PISA, është rritur edhe më tepër mllefi ndaj Ministrisë së Arsimit, mësimdhënësve, si dhe aktorëve të tjerë, të cilët në mënyrë të drejtpërdrejtë ose tërthorazi janë përfshirë në arsim. Vende-vende, këto kritika kanë qenë objektive dhe të arsyeshme, por në shumicën e rasteve kritikat janë hedhur në adresa të gabuara, duke mos pasur edhe aq njohuri për provimin PISA. Në njërën anë, disa e kanë kritikuar cilësinë e arsimit në Kosovë, duke e vënë në shënjestër Ministrinë e Arsimit, disa të tjerë mësimdhënësit, madje kishte të tillë që edhe prindërit i kishin akuzuar për papërgjegjësi. Në esencë, testi PISA, si projekt, ka për qëllim t’i vlerësojë nxënësit e vendeve të ndryshme, duke bërë vlerësime në tri fusha, pra bën matjen e aftësive të nxënësve në shkencë, matematikë dhe lexim. Në këtë test marrin pjesë vetëm nxënësit që janë në moshën 15-vjeçare. Qëllimi kryesor i PISA-s është t’i njohë më mirë nxënësit dhe të ketë informacion paraprak me qëllim të investimeve të projekteve të ardhshme. Njohja më e mirë e të rinjve, përmes rezultateve të testit PISA, e lehtëson zbulimin më të qartë dëshirave të tyre për të mësuar, si dhe preferencat e tyre në lidhje me mjediset mësimore.
Në pjesëmarrjen e fundit, sikur edhe vitet e tjera, raporti i PISA-s për Republikën e Kosovës aspak nuk është shpresëdhënës. Janë disa arsye se pse nxënësit në Kosovë nuk kanë arritur sukses në provimin PISA. Përkundër asaj se arsimi në Kosovë nuk është në nivelin e kënaqshëm, megjithatë në mesin e vendeve pjesëmarrësve Kosova do të mund të renditej në një pozitë më të mirë. Por , kjo nuk mund të arrihet shpejt për shumë arsye. Madje, këto rezultate mund të përçojnë një sërë mesazhesh për ministrinë përkatëse, për udhëheqësit e shkollave, për mësimdhënësit, deri në një masë edhe për prindërit të këtyre nxënësve.
Studiues të ndryshëm kanë bërë hulumtime të ndryshme për ta identifikuar problemin se pse disa vende vazhdimisht arrijnë të qëndrojnë në fillim të listës, ndërkaq disa të tjerë, edhe pse me lëvizje të vogla, herë poshtë e herë pak më lartë në listë, por megjithatë mbetën ne mesin e vendeve me sukses të ulët në këtë test. Disa studiues e lidhin dështimin e vendit të tyre me sistemin arsimor të vendit, ndërkaq të tjerë problemin e lidhin me atë se në shkollat e vendeve të tyre mësimi zhvillohet me një kurrikulë që e ka prioritet teorinë dhe se nuk ka konkretizime, duke bërë edhe praktika, observime, etj.
Mund të paraqiten edhe faktorë të tjerë që janë pengesë e arritjes e suksesit në testin PISA, në mesin e të cilëve është mungesa e metodës së duhur të mësimit, moszbatimi i plotë i kurrikulave nga mësimdhënësit, moskryerja e hospitimeve (monitorimit të mësimdhënësve) me qëllim të mbikëqyrjes së zbatimit të programit, mosofrimi i trajnimeve për mësimdhënës, në theks të veçantë për metodat e përgatitjes së pyetjeve, si dhe qasjet moderne të matjes dhe të vlerësimit. Më pas, mësimet e zhvilluara duke u mbështetur në nxënien përmendësh dhe pengimin e debateve që mundësojnë mendim kritik është po ashtu një prej pengesave të rëndësishme. Në anën tjetër mungesa e ulët e motivit të mësimdhënësve dhe mospjesëmarrja e tyre në proceset vendimmarrëse brenda institucionit, mungesa e mjedisit të përshtatshëm për mësimdhënës, përfshirë edhe mungesën e kabineteve dhe laboratorëve, janë faktorë të tjerë për të arritur një sukses të dëshiruar.
Së këndejmi, studimet tjera shfaqin argumente të tjera që suksesin në testin PISA e lidhin me faktorë të ndryshëm. Paaftësia e nxënësit për të përdorur kompjuterin, ekzistenca e kompjuterit personal të nxënësit, ekzistenca e dhomës personale të nxënësit për mësim dhe numri i librave në shtëpi bëjnë pjesë në mesin e faktorëve që mund të ndikojnë në rezultatet e testit PISA (Acar dhe Öğretmen, 2012).
Përveç këtyre pengesave, janë edhe pengesa të tjera të cilat konsiderohen si pengesa të jashtme. Lidhur me këtë, Cordero, Polo dhe Simancas (2020) kanë deklaruar se rezultatet e testit PISA publikohen duke paraqitur sukseset e vendeve, edhe pse vendet pjesëmarrëse kanë burime dhe sisteme të ndryshme arsimore që nuk përshtaten me dizajnin e pyetjeve të PISA-s, gjë që nënkupton se sistemi i arsimit, burimet e këtyre vendeve dhe mjedisi në të cilën funksionojnë këto shkolla, do të ndikojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë në arritjen e suksesit ose mosarritjen e suksesit në këtë test. Në anën tjetër Tienken (2020) paraqet fakte nga studimi që ka kryer se rezultatet dhe renditjet e vendeve në PISA nuk ofrojnë informacion kuptimplotë, për të definuar nëse një vend ofron arsimim cilësor ose jo.

Faktorët që kontribuojnë në përmirësimin e situatës në ranglistën PISA

Duhet të kuptohet qëllimi i PISA-s dhe të bëhet një përgatitje e duhur për ta përmirësuar pozicionin tonë përballë kësaj sfide. Përkundër pengesave të ndryshme, të cilat do të thuhen në fund të këtij shkrimi, do të ishte e arsyeshme të përqendrohemi tek mënyra e formulimit të pyetjeve nga PISA.
Veçori e pjesës dërmuese të pyetjeve të testit PISA është se ato bazohen në interpretim dhe përdorim të logjikës. Gjatë testit, kërkohet që nxënësit të bëjnë interpretimin e njohurive duke u bazuar në paragrafët dhe figurat e paraqitura në pyetje. Për më tepër, pyetjet janë të atilla që nuk ka vetëm një përgjigje të saktë, pra mund të ketë disa përgjigje të sakta. Ndërkaq problemi esencial i nxënësve kosovarë është se janë mësuar që t’u nënshtrohen testeve standarde që nuk përkojnë në tërësi me kërkesat e kurrikulave të Ministrisë së Arsimit të Kosovës, ngase në kurrikulën e Ministrisë parashihet që vlerësimi të bëhet duke u bazuar edhe në taksonominë e Blumit. Si rezultat, mësimdhënësit janë të obliguar të dizajnojnë (parashtrojnë) pyetje të niveleve të ndryshme, me theks të veçantë të nivelit që parasheh kryerjen e analizave, sintezës dhe vlerësimit. Por, moszbatimi i këtyre, në mënyrë të drejtpërdrejtë, bën që Kosova të jetë në fund të listës, ku kjo formë kritikohet edhe nga ekspertët e arsimit, të cilët mësimin përmendsh e konsiderojnë si të dëmshëm dhe si pengesë që nxënësit të mos mund të dinë t’i përdorin njohuritë e fituara në procesin e arsimit.
Në esencë, testet shërbejnë për të parë masën e nxënies së nxënësve, por dallimi i testit PISA në krahasim me testet e zakonshme që zhvillohen në shkollat e Kosovës, është se testi PISA nuk bën matjen e nxënies ose nuk e ka prioritet këtë, por ka për qëllim që njohuritë e fituara në procesin mësimor të mund të jetësohen në jetën e përditshme. Qëllim tjetër i testit PISA është të bëjë matjen e mendimit kritik tek nxënësit. Duke pasur parasysh formën e pyetjeve të testit PISA, ne mund të mbesim mes dy alternativave: ose duhet të ndryshohet forma e pyetjeve ose për një periudhë të mos marrim pjesë në testin PISA, me justifikimin se nuk jemi të gatshëm për një test të tillë që nuk përshtatet me praktikat tona. Duke pasur parasysh që nuk e kemi shkopin magjik për të bërë ndryshime të shpejta, atëherë mbetet të zgjidhet udha që Kosovën të mos e vërë në siklet, duke u renditur në fund të listës pjesëmarrëse.

Konkluzione dhe rekomandime

Një pjesë e madhe e faktorëve të përmendur më sipër janë prej pengesave për të arritur rezultatet më të kënaqshme në testin PISA. Nxënësit e shkollave të Kosovës, në përgjithësi, për shkak të qasjes së mësimit dhe moszbatimit të tërësishëm të kurrikulave, nuk kanë arritur që të marrin rezultatet të kënaqshme. Edhe pse nxënësit tanë i nënshtrohen këtij testi, mund të themi që nxënësit janë në shkallën e fundit nëse do të bënim një ranglistë për ta gjetur fajtorin. Madje, kjo është dëshmuar me disa shkolla private, në të cilat përpos kurrikulave të Ministrisë së Arsimit, kanë edhe lëndë të shumta jashtëkurrikulare, qasje moderne të menaxhimit të orës dhe faktorë të tjerë që kanë kontribuar që nxënësit e këtyre shkollave të arrijnë suksese të larta në nivel kombëtar dhe atë ndërkombëtar. Sivjet, përkatësisht në vitin 2023, njëra prej shkollave private (“International Maarif of Kosova”), e ka përfaqësuar Kosovën në garat STEM, finalja e së cilës është organizuar në Paris të Francës, ku nxënësit e kësaj shkolle kanë arritur të marrin vendin e dytë në mesin e shumë shteteve pjesëmarrëse. Pa dyshim se kemi edhe situata të shumta të ngjashme, të cilat dëshmojnë se nxënësit janë më pak fajtorë, nëse do të kërkonim të gjejmë burimin e fajit.
Nxënësit e Kosovës akoma nuk janë të gatshëm për një test sikurse është PISA, kjo për shkak faktorëve të përmendur më lart. Nuk mund të lëmë anash as problemin kryesor të këtij testi. Testi PISA mund të mos tregojë rezultate objektive për gjendjen e arsimit në Kosovë, për shkak se nxënësit nuk janë të përgatitur për një format të tillë të testit. Më poshtë do të jepen disa rekomandime që mund të ndihmojnë që në fazat tjera të mund të arrijmë rezultate pak më të mira. Megjithatë, për të arritur një sukses më të mirë, kërkohen vite të tëra, përfshirë përmirësimin e kurrikulave, përgatitjen më të mirë të mësimdhënësve, përmirësimin e kushteve të shkollimit, më tepër mbështetje financiare etj.
Në mesin e këtyre rekomandimeve do të jepen vetëm disa që konsiderojmë se janë më të rëndësishme:
– Zbatimi në tërësi i kurrikulave dhe përmirësime të kohëpaskohshme në bazë të nevojave të kohës, por pa reforma “radikale”;
– Përmirësimi i materialeve (burimeve) ose përshtatja me standardet PISA;
– Ofrimi i mbështetjes për mësimdhënësit në teknikat e reja të nxënies, duke vënë në qendër nxënësin, pra rritja e kapaciteteve pedagogjike;
– Përmirësimi fizik i kushteve të shkollës, modernizimi i klasave me pajisje teknologjike;
– Përfshirja e pyetjeve të formatit të PISA-s në lëndët e caktuara dhe rritja e numrit të pyetjeve të hapura;
– Rritja e aktiviteteve jashtë shkollore që kontribuojnë në zhvillimin më të mirë të nxënësve;
– Në periudha të caktuara të zhvillohen teste që i ngjajnë testit PISA;
– Në lëndët shkencore duhet të shtohen orët që orientohen në kërkim, eksperiment, vëzhgime dhe mbajtje të orëve të mësimit në laborator;
– Dhe, për fund, përgatitja e studentëve të fakulteteve të edukimit në frymën e PISA-s, në kuadër të lëndëve përkatëse, në mënyrë që gjatë ushtrimit të profesionit të jenë më të gatshëm për një sfidë të tillë. /revistashenja