A është e suksesshme martesa pa marrëdhënie intime mes bashkëshortëve?

Xhasim Mutaua

Për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje, duhet të mbështetemi në dy çështje kryesore në jetën bashkëshortore: Çështja e parë është mosha e martesës, dhe çështja e dytë është rrethanat e martesës. Para se t’i shpjegoj këto të dyja, duhet të biem dakord se marrëdhënia intime mes bashkëshortëve është pjesë thelbësore e martesës, sepse marrëdhënia intime është e drejtë e përbashkët për të dyja palët. Ashtu siç është e rëndësishme për burrin, po aq është e rëndësishme edhe për gruan. Gruaja duhet t’i përgjigjet burrit të saj nëse ai e kërkon, ashtu siç edhe burri duhet t’i përgjigjet gruas së tij nëse ajo e kërkon.

Nëse njëri prej bashkëshortëve refuzon pa arsye, kjo bie ndesh me konceptin e “bashkëjetesës së mirë”. Nëse refuzimi është pa shkak, atëherë pala refuzuese bie në mëkat, qoftë burri apo gruaja. Por pyetja mbetet: a mund të ketë sukses një martesë pa marrëdhënie intime? Përgjigjja varet nga mosha e bashkëshortëve.

Marrëdhëniet intime luajnë një rol qendror në martesë dhe janë një nga mënyrat kryesore të shprehjes së dashurisë nga mosha njëzet deri tridhjetë vjeç. Mungesa e marrëdhënieve intime në këtë moshë shkakton tension në çift. Ndërsa në martesat e moshës dyzet e pesëdhjetë vjeçare, marrëdhënia mes bashkëshortëve fillon të kalojë në një fazë partneriteti të thellë, dhe dëshira seksuale mund të ulet tek të dy. Në disa raste marrëdhëniet intime vazhdojnë, por edhe nëse nuk ka marrëdhënie seksuale – për sa kohë ka marrëveshje të ndërsjellë – martesa mund të jetë e suksesshme, veçanërisht kur mes tyre ka dashuri të fortë dhe qëllime të përbashkëta në rritjen e fëmijëve. Në këto raste, jeta martesore vazhdon e qëndrueshme edhe nëse marrëdhënia intime dobësohet.

Sa i përket martesave në moshën gjashtëdhjetë e shtatëdhjetë vjeçare, marrëdhënia bashkëshortore ka prioritete të tjera përveç aspektit intim. Martesa pa marrëdhënie intime është diçka e zakonshme në këtë fazë. Vëmendja e bashkëshortëve përqendrohet kryesisht te shëndeti, fëmijët dhe nipërit. Në disa raste, ata flenë veçmas për shkak të dallimeve të ritmit të gjumit apo zakoneve të ndryshme. Aftësia seksuale në këtë moshë mund të bjerë, por rrallëherë zhduket plotësisht. Megjithatë, nevoja emocionale dhe butësia mbeten më të rëndësishme se performanca seksuale.

Shkurtimisht: marrëdhëniet intime janë shumë të rëndësishme në fillim të martesës; më pas rëndësia e tyre mund të bjerë, ndërsa dashuria dhe mirëkuptimi vazhdojnë; ndërsa në pleqëri është krejt normale të vazhdohet pa marrëdhënie intime. Në moshat e mesme, marrëdhënia intime mund të vazhdojë ose mund të ndalet, sipas rrethanave dhe gjendjes së çiftit.

Sa i përket rrethanave të martesës: në disa raste të veçanta, martesa mund të ketë sukses edhe pa marrëdhënie intime. Shembuj të tillë janë largimi intim i përkohshëm me marrëveshje të dyanshme dhe pa urrejtje, sëmundja e njërës palë, dobësia apo pamundësia seksuale, rrethana të jashtëzakonshme të njërës palë, depresioni, presionet serioze psikologjike, mosha e shtyrë apo probleme të tjera shëndetësore. Kjo largësi intime mund të jetë e përkohshme ose e përhershme, sipas rastit.

Por nëse njëri nga bashkëshortët largohet pa pëlqimin e palës tjetër, atëherë lind padrejtësi dhe kjo mund të çojë në urrejtje, shpërfillje, “divorc të heshtur”, divorc ligjor apo edhe tradhti. Ndërsa përdorimi i mosmarrëdhënieve intime si formë ndëshkimi është i ndaluar si fetarisht ashtu edhe ligjërisht, sepse shkatërron besimin, mbjell frikë në vend të dashurisë dhe e bën palën tjetër të ndihet e nënçmuar.

Po ashtu, ashtu siç martesa mund të ketë sukses pa marrëdhënie intime në disa raste, ka edhe shumë martesa ku qëllimi kryesor është pikërisht intimiteti dhe lidhja emocionale, dhe kjo nuk është aspak gabim, as kërcënim për stabilitetin e martesës. Kjo është më e zakonshme në martesat e dyta apo në rastet e poligamisë.”

Autor: Xhasim Mutaua

Përktheu: Elton Harxhi