Ballina Artikuj A ka mohuar ai i cili thotë një myslimani : ti je...

A ka mohuar ai i cili thotë një myslimani : ti je jobesimtar

Pyetje: “Profeti (a.s.) ka thënë: “Ai i cili i thotë vëllait të tij: ti je jobesimtar. Patjetër që njëri prej të dyve është i tillë.” A do të thotë kjo që njëri prej tyre vdes jobesimtar, apo njëri prej tyre ka mohuar?”

Përgjigjja: Me emrin e Allahut, falenderimi i takon Atij. Paqja dhe bekimi i Alllahut qofshin për profetin Muhamed.

Hadithin për të cilin po flet e kanë transmetuar imam Buhariu dhe imam Muslimi nga Ibn Umer. Vetëm se në transmetimin e imam Muslimit thuhet: “Ai i cili i thotë vëllait të tij: ti je jobesimtar, patjetër që njëri prej të dyve është i tillë. Ose është ashtu siç ka thënë, ose është vetë ai i tillë.”

Megjithatë dijetarët kanë thënë se këtu bëhet fjala për kufrin (mohimin) e vogël.[1] Këtë e kanë argumentuar me hadithin e Thabit ibn Dahakut i cili transmeton se Profeti (a.s.) ka thënë: “Të mallkosh myslimanin konsiderohet sikur ta kesh vrarë. Kush i thotë një besimtari jobesimtar, konsiderohet sikur ta ketë vrarë.”[2] Dihet që vrasja nuk konsiderohet kufr (mohim)i madh.

Ibnu Tejmije ka thënë: “Profeti (a.s.) ka thënë: “vëllait të tij” nëse ndonjëri prej tyre do të dilte përfundimisht jashtë Islamit nuk do të ishte vëllai i tij.”

Ibn Kudameh ka thënë: “Kuptimi i këtyre haditheve nuk është i drejtpërdrejtë, por tregojnë se një veprim i tillë është i papranueshëm dhe se ai ngjason me jobesimtarët.”

Kaq për sa i përket kuptimit të hadithit.

E këshilloj këtë vëlla që i është drejtuar vëllait të tij me këto fjalë që të pendohet me sinqeritet të plotë tek Allahu e të ketë frikë Atë. Allahu i Lartësuar thotë: “O besimtarë! Binduni Allahut dhe të Dërguarit kur ju thërret drejt asaj që ju jep jetë. Dhe ta dini se Allahu ndërhyn midis njeriut dhe zemrës së tij dhe se tek Ai do të mblidheni të gjithë.”[3]

Duhet të kesh kujdes që të mos i tejkalosh kufijtë e fesë apo t’i drejtohesh një besimtari me fjalën jobesimtar e po ashtu ruaje gjuhën. Profeti (a.s.) ka thënë: “Kush më garanton se do të ruajë gjuhën dhe nderin e tij, unë i garantoj xhenetin.”[4] Gjithashtu Profeti (a.s.) ka thënë: “Nuk do t’i fusë në zjarr njerëzit, vetëm se të korrat e gjuhëve.”[5]

Allahu e di më së miri.

Fetvadhënësi: Abdulla El Fekih

Përktheu: Elton Harxhi

By: ardhmëriaonline.com

[1] Kufri i vogël nuk e nxjerr njeriun nga feja.

[2] Transmeton imam Buhariu.

[3] Sure Enfal: 24

[4] Këtë hadith e transmeton Imam Tabaraniu. Dijetari i hadithit imam Albani ka thënë: ky hadith është i saktë.

[5] Këtë hadith e kanë transmetuar imam Ahmedi dhe imam Tirmidhiu. Imam Tirmidhiu ka thënë: ky hadith është i saktë dhe i mirë.