Abazoviq: Mali i Zi i gatshëm për raudin e ri të bisedimeve Kosovë-Serbi

Takimi i fundit mes palës kosovare dhe asaj serbe u realizua në Ohër, më 18 mars ku edhe u arrit pajtimi për aneksin e zbatimit të Planit Evropian.

Takimi i fundit mes palës kosovare dhe asaj serbe u realizua në Ohër, më 18 mars ku edhe u arrit pajtimi për aneksin e zbatimit të Planit Evropian.

Mali i Zi është i gatshëm të kontribuojë dhe të mbështesë procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, tha kryeministri i qeverisë malazeze në mandatin teknik, Dritan Abazoviq, dhe ofroi që Mali i Zi të presë një raund të ri të mundshëm.

“Ne kemi marrëdhënie të shkëlqyera me të gjitha vendet fqinje dhe jemi të etur për të ndihmuar në çdo mënyrë, duke përfshirë mbështetjen logjistike”, tha Abazoviq në një intervistë për Pavlovic Today, gjatë vizitës së tij në ShBA.

Ai ofroi që Mali i Zi të presë një raund të ri të mundshëm negociatash midis Kosovës dhe Serbisë.

“Ne nuk jemi pjesë e dialogut, por besoj se propozimi evropian paraqet një zgjidhje të mirë, të favorshme si për Serbinë, ashtu edhe për Kosovën”, tha Abazoviq dhe theksoi se Podgorica zyrtare “luan rolin e pajtuesit” në rajon.

Ai ka theksuar se më e rëndësishmja është që marrëveshja të zbatohet.

“Por, që të ndodhë kjo, ata duhet t’i përmbahen asaj për të cilën kanë rënë dakord”, tha kryeministri malazez.

Drejtuesit e Kosovës dhe të Serbisë gjatë këtij viti deri më tani janë takuar dy herë, fillimisht në Bruksel me 27 shkurt, pastaj edhe më 18 mars në Ohër.