Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka bërë të ditur se ka dërguar ftesën zyrtare për Kuvendin e LDK-së.
Mbledhja e këtij Kuvendi do të mbahet të shtunën nga ora 12:00.
Ai ka thënë se LDK nuk frikësohet nga anëtarësia e vet, as nga vota, as nga gara.
Në Kuvend, ka thënë Abdixhiku do vendosjet për çështjet e partisë.
“LDK nuk është parti që frikësohet nga anëtarësia e vet, as nga vota, as nga gara. Vendimet e saj i ka marrë gjithmonë në Kuvend, mes njerëzve të vet, hapur, me debat dhe pa frikë; dhe në fund, me shumicë. Edhe në kohë shumë më të vështira se kjo. Kështu do të veprojmë sërish, këtë të shtunë”, ka shkruar ai.
Ai ka thënë se nga ky proces LDK do ta dal më e fortë dhe me organizuar.
“Këtë të shtunë mblidhemi për të diskutuar dhe për të vendosur mbi të gjitha çështjet tona, me vullnet të lirë dhe me votë të lirë, ashtu siç i takon një partie demokratike që respekton anëtarësinë e saj dhe asnjë interes tjetër veç saj. Ky është parimi ynë dhe mënyra jonë e veprimit. LDK nuk di ndryshe. Koha tani të flasë anëtarësia jonë. Nga ky proces do të dalim më të fortë, më të organizuar, më funksional e më të përqendruar te e ardhmja e LDK-së dhe e Kosovës”, ka shkruar Abdixhiku.
Abdixhiku ka njoftuar se ka ofruar dorëheqjen nga posti i kryetarit të LDK-së, pas rezultatit të zgjedhjeve të 28 dhjetorit, ku LDK doli e treta.
Ai ka thënë se dorëheqjen do ta paraqesë në Kuvendin e partisë, ku siç ka thënë aty do të vendoset.
Ky veprim i tij, është kritikuar nga njohës të çështjeve politike, të cilët kanë thënë se dorëheqja si akt duhet të jetë e parevokueshme.
Ndërsa, Hykmete Bajrami ka dhënë dorëheqje nga pozita e nënkryetares së LDK-së, e cila poashtu kishte kërkuar që të njëjtën gjë ta bëjë edhe Abdixhiku.
Avdullah Hoti të dielën ka zyrtarizuar kandidaturën për kryetar të LDK-së.
Edhe ky ka paralajmëruar dorëheqje nga organet drejtuese të partisë, nëse siç ishte deklaruar, në Kuvend nuk hapet rruga për reforma.







