Absurdi i ledhatimit perëndimor të Serbisë

Rilind Dauti

Ashtu si Monarkia Habsburge dikur, sot shtetet perëndimore nuk janë të vetëdijshme se çfarë gabimi janë duke bërë. Mendojnë se duke i bërë mirë Serbisë, ata do të dinë t’i reciprokojnë këto të mira ashtu që do ta ndërpresin destabilizimin e BeH-së, Malit të Zi, Kosovës dhe më në fund do të heqin dorë nga të qenit vegël e projeksioneve gjeopolitike të Rusisë.

Shkruan: Rilind DAUTI, Shkup

Me shekuj të tërë Austria u ka bërë favore serbëve: i mbështeste në kryengritjet kundër Perandorisë Osmane, i ftoi të vendosen në Kroaci (në rajonin që më vonë do ta merr emrin Krajina), i ftoi të vendosen në Vojvodinë, në dëm të elementit vendas hungarez, dhe pasi Serbia e fitoi pavarësinë më 1878, të gjitha të mirat Austrisë ia ktheu “milo za drago”. Më 1878 Serbia e kundërshtoi vendosjen e Bosnjës dhe Hercegovinës nën administrimin e Austro-Hungarisë. Beogradi bënte propagandë antiaustriake dhe ishte në anën e rivalëve gjeopolitikë të Vjenës, mbi të gjitha me Sankt Peterburgun. Shërbimi sekret i Serbisë qëndronte mbrapa organizatës “Ujedinjenje ili smrt” (më vonë “Crna ruka”) dhe “Mlada Bosna”, që bënin sulme terroriste në territorin e Austro-Hungarisë dhe ishte njëri prej militantëve të trajnuar në Serbi, Gavrillo Principi, ai që e vrau trashëgimtarin e fronit austriak, Franc Ferdinandin, dhe bashkëshorten e tij shtatzënë.

Kështu, pas shekujve të tërë mbështetje ndaj serbëve, austriakët shumë vonë e kuptuan gabimin, por kjo kthjellje e vonuar erdhi me pasoja katastrofike për perandorinë e tyre të ndërtuar me shumë mund. E sot si është puna? Sot Austria ka marrëdhënie maksimalisht miqësore me Serbinë dhe subjekti nacionalist me mbështetje mjaft të madhe elektorale, Partia e Lirisë e Austrisë, e kundërshton pavarësinë e Kosovës! Pra, austriakët e kuptuan se çfarë “malli” është Serbia, por më vonë një pjesë e tyre sërish ranë në “trans” ndaj Serbisë! Shembulli më paradoksal është nobelisti Peter Handke, i cili mbase vuan nga ndonjë kompleks frojdian, andaj është përkrahës i nacionalizmit të Millosheviqit!

Historikisht brenga e shteteve europiane ka qenë ndikimi rus në Ballkan dhe, po ashtu, historikisht mjet kryesor i këtij ndikimi rus ka qenë Serbia. Por, nëse në shtetet europiane rusofilia është e rezervuar për individë pa pushtet, si ish-kancelari gjerman Gerhard Shrëder apo Fronti Kombëtar i Marine Le Penit, qasja proserbe është historikisht politikë zyrtare e shteteve europiane. Ishin pikërisht ata që më 1878 e lejuan zgjerimin e Serbisë në skajin verior të Shqipërisë, që ishte Sanxhaku i Nishit, pastaj përsëritjen e masakrave ndaj shqiptarëve në pushtimin e mëtejshëm të Shqipërisë më 1912-1913.

Më 1918 u krijua Mbretëria e Serbëve, Kroatëve dhe Sllovenëve, por përskaj këtij emri, ajo ishte e dominuar kryekëput prej serbëve. Ky shtet (që pas 1929 do të riemërohet si Mbretëria e Jugosllavisë) zbatonte dhunë ekstreme jo vetëm ndaj shqiptarëve, që nuk llogariteshin për asgjë, por madje edhe ndaj kroatëve, që ishin popull shtetformues! Për këtë arsye, këtë shtet disa e quanin si burg i popujve. Përkundër këtij hegjemonizmi të Beogradit, që nuk i kursente as kroatët katolikë, e lëre më shqiptarët myslimanë, ky shtet kishte marrëdhënie skajshmërish të mira me Francën katolike!

Është e pakuptueshme simpatia e europianëve që vjen nga “feja e përbashkët”, sepse Serbia asnjëherë s’e ka pasur problem të vrasë të krishterë të tjerë që binin ndesh me planet e saj. Gjatë venitjes së sundimit osman në Ballkan, Serbia qëndronte mbrapa çetnikëve që i sulmonin fshatrat e krishterëve ortodoksë të popujve tjerë, pastaj, kur u zgjerua në atë që sot është Maqedoni, në periudhën e sundimit të saj 1913-1941, i vrau priftërinjtë ortodoksë që nuk pajtoheshin t’i nënshtrohen Kishës Serbe. Nëse nuk e kishte problem vrasjen e ortodoksëve të tjerë, atëherë është edhe më pak sentimentale vrasja e krishterëve katolikë, si deputetët e Partisë Fshatare të Stjepan Radiqit në sallën e Parlamentit në Beograd, kur vrasësin e lanë të kalojë me burgim shtëpiak. Por, atë së paku e dënuan formalisht, ndërsa për vrasjen e akademikut kroat Milan Shuflaj nuk e dënuan askënd! Kështu që, si mund të ketë europianë që e duan Serbinë, ngaqë kanë fe të përbashkët me të, përderisa feja e përbashkët nuk e pengoi Serbinë të vrasë një numër të madh të krishterëve të tjerë?!

Nuk mban as propaganda serbe që ata kanë qenë mbrojtësit e Europës së krishterë nga Perandoria Osmane, sepse ishte pikërisht Despotati Serb ai që e pengoi Skënderbeun që t’i vijë në ndihmë koalicionit të shteteve europiane me në krye Huniadin në Betejën e Kosovës së vitit 1448. Nëse ka dikush që sot meriton mbështetje nga Europa për shkak të rolit në luftën kundër osmanëve, janë shqiptarët dhe boshnjakët, sepse pikërisht Arbëria e Skënderbeut dhe Mbretëria e Bosnjës rezistuan deri në fund ndaj depërtimeve osmane. Ndërkaq, Serbia nuk e kishte problem të pranojë pozitë nënshtruese ndaj Perandorisë Osmane dhe serbët nuk e kishin problem që sundimin osman ta shfrytëzojnë në dobi të tyre, sepse sipas Noel Malkollmit dhe shumë historianëve të tjerë, pikërisht gjatë sundimit osman popullsia serbe u vendos në Bosnjë!

Prej luftës gjenocidale në Bosnjë (1992-95) e deri më sot, Serbia përpiqet të fitojë mbështetje në Europë duke prekur në sentimentin antiislam të shumë europianëve. Por, cili është realiteti? Përveç shembujve që u përmendën më lart, është pikërisht Serbia ajo që nga të gjitha shtetet ballkanike i ka marrëdhëniet më të mira me Turqinë, e cila tashmë mbi dy dekada sundohet nga islamistët, si edhe me shtetet arabe ku fe zyrtare është Islami! Pra, Serbia që shitet si mburojë e Europës nga muslimanët shqiptarë dhe boshnjakë, kënaqet duke zhvilluar marrëdhënie skajshmërisht miqësore me muslimanët e Lindjes së Mesme, Afrikës Veriore, dhe Azisë Juglindore! Kështu që, me gënjeshtra të cekëta mbi rolin e fesë, Serbia ka arritur ta mashtrojë Europën që t’i japë mbështetje asaj.

Sot, motivi kryesor përse Perëndimi i shkon përshtati Serbisë nuk është aq shumë feja, sa është frika nga ndikimi rus. Domethënë, duke e marrë me të mirë Serbinë, Perëndimi mendon se do ta shkëpusë nga orbita ruse. Në vazhdën e kësaj janë investimet e majme të kompanive perëndimore në Serbi, fondet direkte nga Bashkimi Europian, lëshimi pe për obligimin e njohjes de jure të pavarësisë së Kosovës, donacionet amerikane për ushtrinë serbe (!!!) dhe presioni i vrazhdë nga Uashingtoni dhe Brukseli që Kosova ta zbatojë Asociacionin e Komunave Serbe, përderisa presion i tillë nuk i bëhet Serbisë që ta zbatojë pjesën e saj të obligimeve që dalin nga marrëveshjet e nënshkruara.

Pra, ashtu si Monarkia Habsburge dikur, sot shtetet perëndimore nuk janë të vetëdijshme se çfarë gabimi janë duke bërë. Mendojnë se duke i bërë mirë Serbisë, ata do të dinë t’i reciprokojnë këto të mira ashtu që do ta ndërpresin destabilizimin e BeH-së, Malit të Zi, Kosovës dhe më në fund do të heqin dorë nga të qenit vegël e projeksioneve gjeopolitike të Rusisë.

Ky është gabim i njohur historik. Për të qenë vetëkritikë, ne shqiptarët e kemi një fjalë “të urtë”, popullore që është tërësisht e huqur: “budallës lëshoja udhën”. Ky është një gabim i tmerrshëm me pasoja katastrofike, sepse nëse “budallait” (kapadaiut, dhunuesit, etj.) i bën lëshime, ai asnjëherë nuk do të dijë ta çmojë e as që do të jetë i mjaftuar. Por, duhet të bëhet e kundërta: që në fillim fare të keqit duhet t’i vendosen kufij, të cilët nëse nuk i respekton, duhet thyer hundët!

Fatkeqësisht, Perëndimi ka histori të gjatë të tolerimit të kapadaillëkut të Serbisë. Kur më 1878 Kongresi i Berlinit ia dhuroi Serbisë Sanxhakun e Nishit, ia dha me kusht që mos ta dëmtojë popullsinë vendore shqiptare. Por, Serbia e shkeli tërësisht këtë kusht të Fuqive të Mëdha, duke mos e lënë asnjë shqiptar aty pari! Kur Tito dhe Enver Hoxha u morën vesh që pas luftës do të respektohet vetëvendosja e shqiptarëve të Kosovës, frika nga faktori serb bëri që burri i madh i shtetit, Marshall Tito, ta shkelë fjalën e tij, dhe kjo kaloi pa pasoja nga SHBA-ja dhe Mbretëria e Bashkuar, që ishin mbështetëse të fuqishme të Jugosllavisë.

Për shkak të shkathtësive diplomatike të Josip Broz-Titos, por më shumë për shkak të simpative ndaj serbëve si zotëruesit e vërtetë të atij shteti, Jugosllavia kishte miq të shumtë në të dyja blloqet ideologjike. Pra, Jugosllavia gëzonte simpati jo vetëm nga komunistët antidemokratikë, por edhe nga shtetet me demokraci pluraliste që e mbajnë veten për bastione të të drejtave njerëzore. Këto shtete e ledhatonin pa masë Jugosllavinë, ku 36 për qind serbë dominonin ndaj popujve të tjerë konstituivë, ndërsa aty shtypeshin brutalisht popujt jokonstituivë, si shqiptarët. Kur më në fund, më 1991, iu afrua fundi këtij shteti të padrejtë, diplomatët europianë dhe amerikanë bënë çmos që ta shpëtojnë nga gremina, duke i premtuar edhe miliarda dollarë ndihmë, ndërsa ambasadori amerikan në Beograd, Uoren Cimerman, shkoi aq larg sa e kërcënoi Slloveninë dhe Kroacinë që SHBA-ja asnjëherë nuk do ta njohë pavarësinë që e patën shpallur nga RSFJ. Por, fatmirësisht, shumë shpejt shtetet e fuqishme i thirrën mendjes së shëndoshë dhe më 1992 e lejuan anëtarësimin në OKB të Sllovenisë, Kroacisë dhe Bosnjë-Hercegovinës.

Por, qasja e padrejtë e shteteve të mëdha ndaj Ballkanit vazhdoi edhe më tej. Gjatë luftës në Bosnjë dhe Hercegovinë bënë ekuivalencë jomorale, kur boshnjakët dhe bashkëluftëtarët serbë dhe kroatë, që ishin për një shtet të përbashkët multietnik, i barazuan me nacionalistët e shthurur të Republika Srpskas dhe Republikës Kroate të Herceg-Bosnjës. Dhe, në vazhdën e kësaj qasjeje absurde ishte edhe embargoja për importimin e armëve, që i konvenonte Republika Srpskas, e cila e trashëgoi armatimin e JNA-së së fuqishme, por pjesërisht embargoja i përshtatej edhe Republikës Kroate të Herceg-Bosnjës, që mbështetej nga Kroacia, ndërsa kjo e fundit importonte armë fshehurazi me kontrabandë.

Nëse Perëndimit nuk i bënin ndonjë përshtypje krimet ndaj boshnjakëve, le të kujtohet që gjatë Luftës në BeH forcat serbomëdha në mënyrë direkte i turpëruan fuqitë perëndimore kur e shkelën shenjtërinë e zonave të mbrojtura nga ushtarët europianë dhe e morën peng personelin e OKB-së. Dhe, ashtu si Republika Srpska, që këto pengje i shfrytëzonte për shantazh ndaj Perëndimit, Serbia e shfrytëzon afërsinë me Rusinë për shantazhe ndaj Perëndimit. Dhe, për të qenë realë, me mjeshtëri ka arritur të përfitojë shumë!

Por, kjo qasje e Perëndimit është e shtrenjtë, e paqëndrueshme, e padrejtë dhe nuk e zgjidh problemin. Me një shtet problematik nuk mund të merresh vesh me të mirë. Në kohën sa ishte senator, Xho Bajdeni ishte ithtar i zgjidhjes me okupim të Serbisë, të stilit siç iu bë Gjermanisë dhe Japonisë, dhe që serbët duhet ta shikojnë veten në pasqyrë dhe të ndalojnë së menduari që ata janë viktima. Fatkeqësisht, në momentet kyçe nuk u dëgjua zëri i njerëzve si Xho Bajdeni, Bob Dolli ose Tom Llantoshi, ndërsa sot rrethanat kanë ndryshuar në mënyrë drastike. Politikanët më parimorë, si Bob Doll, nuk janë më në mesin e të gjallëve ose janë pensionistë në moshë të shtyrë. Xho Bajdeni është president i SHBA-së, por tani realiteti gjeopolitik nuk është ai që ishte më 1999, ndërsa as ai nuk është në kulmin e shëndetit fizik dhe mendor që të jetë i aftë të bëjë ndonjë dallim në politikën e jashtme të Departamentit të Shtetit, që është i njohur për vazhdimësi në zbatimin e politikës së jashtme amerikane me ndryshime minimale, që varen nga ajo se kush është shef i Shtëpisë së Bardhë.

Shpresat te Amerika na janë venitur, ndërsa Europën prej moti e dimë se si është. Prandaj, vetëm mund të shpresojmë në mrekulli, që në Uashington dhe kryeqytetet e mëdha europiane një ditë do të vijnë udhëheqës me kompas moral, që do të jenë këmbëngulës në thyerjen e status quo-së dhe do ta ndryshojnë qasjen ndaj Ballkanit. Le të shpresojmë se do të vijnë burrështetas që do të jenë të vetëdijshëm që “budallait” nuk duhet lëshuar rruga, por ai duhet vendosur nën kontroll përmes intervenimit direkt ose duke ia pamundësuar fushëveprimin përmes stabilizimit të “lagjes” ku jeton dhe përmes forcimit të aktorëve të arsyeshëm që janë “fqinjë të parë” me të! /revistashenja