Administrata Biden e gatshme të heqë vizat për izraelitët

Administrata e presidentit amerikan, Joe Biden, është e gatshme që ta lejojë gjatë kësaj jave hyrjen e Izraelit në klubin ekskluziv, i cili do t’ua bënte të mundur shtetasve të tij që të udhëtojnë në Shtetet e Bashkuara pa vizë, me gjithë shqetësimet e vazhdueshme të Washingtonit zyrtar rreth mënyrës së trajtimit të amerikanëve palestinezë nga qeveria izraelite.

Zyrtarë amerikanë bënë të ditur se njoftimi për hyrjen e Izraelit në Programin e Heqjes së Vizave është planifikuar për në fund të javës, pak para përfundimit të vitit të buxhetit federal të shtunën, kur dhe është afati i fundit për pranimin e Izraelit pa pasur nevojë që të rikualifikohet për përshtatshmëri vitin e ardhshëm.

Departamenti i Sigurisë Kombëtare e administron këtë program, i cili aktualisht ua lejon qytetarëve të 40 vendeve kryesisht evropiane dhe nga Azia që të udhëtojnë në SHBA për tre muaj, pa pasur nevojë që të pajisen me viza.

Alejandro Mayorkas, sekretar i Sigurisë Kombëtare, pritet që të bëjë njoftimin të enjten, pasi që ta marrë rekomandimin nga Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, që Izraeli të pranohet, kanë thënë pesë zyrtarë të informuar me çështjen, të cilët folën të dielën nën kushtin e anonimitetit shkaku se vendimi nuk është publikuar ende.

Rekomandimi i Blinkenit pritet që të jetësohet jo më vonë se sa të martën, kanë thënë zyrtarët, ndërsa njoftimi përfundimtar do të bëhet vetëm tetë ditë pasi që presidenti Biden e takoi kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, në New York në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së. Të dy liderët nuk e kanë ngritur këtë çështje në komentet e tyre të shkurtra për gazetarët gjatë takimit, por tema ka qenë pjesë e negociatave dhe debateve intensive për muaj të tërë, siç ishte edhe përpjekja e administratës së Bidenit për ta siguruar një marrëveshje mbi normalizimin e marrëdhënieve midis Izraelit dhe Arabisë Saudite.

Në Departamentin amerikan të Shtetit është bërë e ditur se nuk “ka gjë për të njoftuar publikisht në këtë moment”, duke shtuar se bashkë me Departamentin e Sigurisë Kombëtare do të marrin një “vendim përfundimtar gjatë ditëve në vijim”. Sipas Departamentit të Shtetit, SHBA-ja po punon me Izraelin për të “përmbushur të gjithë gamën e kërkesave të zbatimit të ligjit, sigurisë kombëtare dhe emigracionit”.

Pranimi i Izraelit në këtë program ka qenë prioritet për liderë të njëpasnjëshëm izraelitë dhe do të jetë një e arritur e madhe për Netanyahun, i cili shpesh është përplasur me administratën Biden lidhur me Iranin, konfliktin palestinez dhe së fundmi edhe për ribërjen e propozuar të sistemit gjyqësor të Izraelit, për të cilin kritikët kanë thënë se do ta bëjë vendin më pak demokratik.

Qeveria e ekstremit të djathtë e Netanyahut ka nxitur kritika të vazhdueshme amerikane për mënyrën e trajtimit të palestinezëve, përfshirë edhe ndërtimin agresiv të kolonive në Bregun Perëndimor, kundërshtimin rreth shtetësisë palestineze dhe komentet ndezëse anti-palestineze nga ministrat e lartë të kabinetit.

Veprimi amerikanë do t’i sigurojë Netanyahut një pritje të mirë në vend. Ai është përballur protesta masive njëmujore kundër planit të tij për gjyqësorin dhe pritet që të përballet me kritika nga palestinezët, të cilët thonë se SHBA-ja nuk do të duhej të shpërblente Qeverinë izraelite në një kohë kur përpjekjet paqësore janë në ngërç.

Izraeli ka përmbushur dy nga tri kriteret më kritike gjatë dy viteve të fundit – përqindjen e ulët të aplikimeve të refuzuara për vizë dhe përqindjen e ulët të tejkalimit të vizave – për t’u bërë pjesë e programit amerikan. Ka pasur telashe që ta përmbushë kriterin e tretë, nën të cilin kërkohet që reciprociteti i cili i përfshinë të gjithë qytetarët amerikanë, përfshirë ata amerikanët palestinezë, duhet të nënkuptojë trajtimin e barabartë kur ata të udhëtojnë në apo nëpërmjet Izraelit.

Duke aluduar në shkaqet e sigurisë kombëtare, Izraeli prej kohësh ka zbatuar kërkesa të veçanta të hyrje dhe procese verifikimi për amerikanët palestinezë. Shumë prej tyre janë ankuar se procedurat ishin të vështira dhe diskriminuese. Amerikanët me dokumente qëndrimi palestineze në Bregun Perëndimor dhe në Rripin e Gazës kryesisht janë ndaluar që ta përdorin aeroportin ndërkombëtar të Izraelit. Në vend të tij, sikurse palestinezët e tjerë, ata janë detyruar që të udhëtojnë ose nëpërmjet Izraelit ose Egjiptit, për të mbërritur në destinacionet e tyre.

Muajve të fundit, Izraeli ka bërë përpjekje për të rregulluar kërkesat e hyrjes për amerikanët palestinezë, duke e përfshirë lejimin e tyre që të fluturojnë brenda dhe jashtë Aeroportit Ndërkombëtar Ben Gurion në Tel Aviv dhe të shkojnë drejtpërdrejt në Bregun Perëndimor dhe Izraeli, sipas zyrtarëve. Izraeli gjithashtu është zotuar të lehtësojë lëvizjen për palestinezët amerikanë që udhëtojnë brenda dhe jashtë Rripit të Gazës, të sunduar nga Hamasi. /koha