AFAD: Rritet në 40.689 numri i viktimave nga tërmeti në Turqi

Kreu i Agjencisë për Menaxhimin e Fatkeqësive dhe Emergjencave të Turqisë (AFAD), Yunus Sezer tha se është rritur në 40.689 numri i viktimave në vend nga tërmetet me qendër në Kahramanmaraş, raporton Anadolu.

Në një konferencë për media në Qendrën e Menaxhimit të Situatave Emergjente të AFAD, Sezer theksoi se të gjitha institucionet dhe organizatat vazhdojnë punimet për heqjen e rrënojave, ngritjen e “qyteteve tendë” dhe kontejnerë si dhe për përgatitjen e infrastrukturës.

Në rajon u dërguan mbi 35 mijë personel të kërkim-shpëtimit, rikujtoi Sezer duke shtuar se mbi 20 mijë personel vazhdon detyrën dhe se ka punime intensive të ekipeve dhe makinerive.

Ai bëri të ditur se 14 mijë makineri vazhdojnë punën në rajone për heqjen e rrënojave dhe të përmirësimit. “Në rajon ndodheshin mbi 270 mijë personel të institucioneve publike si dhe nga organizatat e shoqërisë civile. Aktualisht vazhdon detyrën një personel prej rreth 250 mijë personash. Teksa në njërën anë vazhdojnë punimet tona për heqjen e rrënojave, në anën tjetër vazhdojnë në mënyrë intensive punimet tona në mënyrë të ndjeshme për kërkim-shpëtim”, tha Sezer.

– “Janë ngritur 250 mijë tenda”

“Deri më sot kemi përcaktuar se 40.689 nga qytetarët tanë kanë humbur jetën”, tha Sezer duke shtuar se në shumë vende punimet e kërkim-shpëtimit kanë përfunduar, ndërkohë që vazhdojnë në disa pika në Hatay dhe Kahramanmaraş.

Lidhur me situatën e fundit në rajon, Sezer deklaroi: “Punimet tona të kërkim-shpëtimit vazhdojnë me një kujdes dhe ndjeshmëri të madhe në rreth 40 ndërtesa. Po ashtu vazhdojmë intensivisht punimet e përmirësimit. Ka përfunduar instalimi i mbi 200 mijë tendave. Nëse i shtojmë edhe punimet e kryera nga institucionet e tjera të shoqërisë civile kjo arrin instalimin e rreth 250 mijë tendave. Objektivi ynë është që këtë ta plotësojmë në një kohë të shpejtë në 300 mijë dhe punimet tona po vazhdojnë me shpejtësi në këtë drejtim. Ndërkohë ka punime që objektivi për 100 mijë kontejnerë të përfundojë brenda dy muajve”.

Ai tha se deri më tani janë ngritur mbi 6 mijë kontejnerë dhe se janë drejt përfundimit punimet e infrastrukturës për instalimin e 68 mijë kontejnerëve.

– “Është bërë vlerësimi i dëmeve në më shumë se 830 mijë ndërtesa”

Duke theksuar se pagesat e ndihmës në para të gatshme prej 10 mijë lirash për të prekurit nga tërmeti dhe punimet e evakuimit në rajon vazhdojnë, Sezer tha se janë evakuuar 460.945 persona dhe se janë strehuar në bujtina 318.970 persona. Sipas tij, përveç kësaj më shumë se 1 milion të prekur nga fatkeqësitë qëndrojnë në qytetet e tendave, qytetet me kontejnerë dhe bujtinat.

“Aktualisht ka përfunduar puna e vlerësimit të dëmeve në më shumë se 830 mijë ndërtesa. Ne përdorim në mënyrë intensive mjete tona ajrore. Mjetet tona ajrore vazhdojnë këto aktivitete gjatë 24 orëve në ditë kryesisht për nevojat ushqimore dhe tendave në fshatrat tona. Po ashtu përdorim avionët tanë për transportimin e tendave dhe dërgesave të tjera nga vende të tjera dhe brenda vendit. Aktualisht 75 avionë dhe 178 helikopterë tanë që vazhdojnë punën në pikën e ndihmës së fatkeqësisë kanë kryer 11.977 fluturime”, tha Sezer.

“Punimet tona vazhdojnë për ndihmën e evakuimit dhe të qirave për qytetarët tanë që në ndërtesat e tyre kanë pësuar dëme të mesme, të rënda ose i janë shembur. Qytetarët tanë mund të aplikojnë për këto përmes portalit ‘e-Devlet‘. Aktualisht në e-Devlet vërehen 445 mijë aplikime. Ekzaminimet e këtyre vazhdojnë të bëhen nga komisionet që kemi formuar këtu dhe në rajone”, theksoi Sezer.

Pasi ka informuar se në kuadër të Planit për Reagim ndaj Fatkeqësive vazhdojnë punimet për çështjen e ushqimit për të prekurit nga tërmeti, Sezer shtoi se në rajon janë 252 kuzhina të lëvizshme, afro 100 automjete shërbimi, furra të lëvizshme dhe afro 400 automjete shërbimi dhe kuzhina për shërbim ushqimor.

Sezer tha se deri më tani janë shpërndarë mbi 12 milionë e 857 mijë pako dhe pako ushqimore ndërsa janë siguruar afro 50 milionë vakte të ngrohta ushqimore. Ai potencoi se Gjysmëhëna e Kuqe Turke dhe Ministria e Rinisë dhe Sporteve vazhdojnë të ofrojnë shërbime ushqimore dhe të ushqimit për të prekurit nga tërmeti të cilët nga rajoni i fatkeqësisë kanë shkuar në vende të tjera.