Afrika e Jugut proteston në solidaritet me grevistët pro-palestinezë në burgjet britanike

Aktivistë nga Afrika e Jugut janë mbledhur të martën para zyrave të British Council në Johanesburg, në shenjë solidariteti me grevistët e urisë pro-Palestinë që mbahen në burgje në Mbretërinë e Bashkuar, duke i bërë thirrje qeverisë britanike t’i lirojë menjëherë.

Protestuesit mbanin pankarta me mbishkrime si “Solidaritet me grevistët e urisë”, “Mbështesim Palestine Action” dhe “Të ndalosh gjenocidin nuk është krim”. Ata i dorëzuan një listë kërkesash një përfaqësuesi të British Council, duke kërkuar që ajo t’i përcillet ambasadorit britanik.

Firoza Mayet nga Aleanca e Solidaritetit me Palestinën (PSA) tha se kërkesat janë dërguar edhe me email në ambasadë dhe se grevistët ndodhen në gjendje kritike shëndetësore. Një ditë më parë, disa organizata të shoqërisë civile në Afrikën e Jugut kishin shprehur solidaritetin e tyre, duke kërkuar lirimin me kusht të menjëhershëm dhe gjykime të drejta e transparente.

Në një deklaratë të përbashkët, më shumë se 20 organizata paralajmëruan se disa nga grevistët kanë kaluar mbi 50 ditë pa ushqim dhe mund të humbasin jetën nëse nuk merren masa urgjente. Ata janë të akuzuar për hyrje të paligjshme në filialin britanik të kompanisë izraelite të mbrojtjes Elbit Systems në Bristol dhe në një bazë të Forcave Ajrore Mbretërore në Oxfordshire.

Mayet tha se Elbit Systems po kontribuon në gjenocid duke furnizuar Izraelin me armë dhe se aktivistët e rinj po protestonin pikërisht kundër kësaj. Organizatat paralajmëruan gjithashtu qeverinë e kryeministrit Keir Starmer që të mos përsërisë pasojat historike të reagimit të ashpër të viteve 1980, i cili çoi në vdekjen e Bobby Sands dhe nëntë të burgosurve të tjerë irlandezë gjatë grevave të urisë.

Aktivistët përsëritën thirrjet për t’i dhënë fund gjenocidit në Gaza dhe shkeljeve të vazhdueshme në territoret palestineze të pushtuara, duke theksuar se dhuna vazhdon pavarësisht armëpushimit të shpallur.

Sipas shoqërisë civile, pesë nga grevistët në burgjet britanike janë nën moshën 31 vjeç, më i riu vetëm 20 vjeç, dhe gjendja e tyre është alarmante. Grevistët përfshijnë Qesser Zuhrah, Teuta Hoxha, Heba Muraisi, Kamran Ahmed dhe Amu Gib. Gib dhe Ahmed janë shtruar në spital, Zuhrah po humb shikimin, Muraisi po humb kujtesën, ndërsa Hoxha ka nivele tejet të ulëta të sheqerit në gjak.

Aktivisti Lewie Chiaramello ndodhet në grevë të pjesshme për shkak të diabetit, ndërsa Jon Cink dhe Umer Khalid, i cili vuan nga distrofia muskulore, e kanë ndërprerë grevën pas shtrimit në spital.

Grevistët kërkojnë ndalimin e censurës në burgje, lirimin e menjëhershëm me kusht, të drejtën për gjykim të drejtë dhe heqjen e klasifikimit të Palestine Action si organizatë “terroriste”, si dhe mbylljen e të gjitha objekteve të Elbit Systems që veprojnë në Mbretërinë e Bashkuar. /mesazhi