Afrim Gashi flet për 100 ditët e Alternativës në Qeveri

Kryetari i Alternativës, Afrim Gashi për 100 ditët e Alternativës në Qeveri, tha se kjo parti ju bashkua Qeverisë kur vendi ishte në një ngërç dhe i rrezikohej perspektiva evropiane e vendit.

Ja dhe deklarata e plotë e kreut të Alternativës, Afrim Gashi:

Sot – kur janë bërë 100 ditë nga çasti kur ne iu bashkuam shumicës parlamentare dhe qeverisë – jemi këtu që, bashkë me drejtuesit e partisë dhe përfaqësuesit tanë në ekzekutiv, të ballafaqohemi me opinionin publik, të japim llogari për atë që e kemi përmbushur gjatë kësaj kohe dhe t’ju informojmë për punën tonë në këtë përbërje qeveritare. Siç tashmë e dini të gjithë, ne iu bashkuam kësaj qeverie në një moment kur shteti ishte në ngërç dhe kur rrezikohej stabiliteti i tij. Pamundësia e krijimit të një shumice të re, pamundësia e shpalljes së zgjedhjeve të reja dhe rreziku që i kanosej perspektivës europiane me atë gjendje jostabiliteti, ishin shtytja jonë për ta marrë këtë vendim. Natyrisht, për këtë e kishim parasysh edhe pritjen e miqve tanë ndërkombëtarë, si dhe të vëllezërve tanë shqiptarë të rajonit. E dimë mirëfilli se ky vendim ka pasur një kosto politike, por ne me plot vetëdije vendosëm që më mirë të shpëtojë Roma se Cezari. Sidoqoftë, ajo që dua të vë re është se AlternAtivA ndoshta është partia e parë shqiptare që i bashkohet një qeverie me një marrëveshje politike, e cila ka qenë e pranishme edhe në duar të publikut. Deshëm kështu të dëshmojmë se kur flasim për transparencë dhe përgjegjësi, këtë e fillojmë nga vetja jonë. Dhe, përveç pranimit të përgjegjësisë si subjekt i skenës politike, me këtë marrëveshje ne e vendosëm edhe një standard tjetër të pjesëmarrjes në qeveri, që mendoj se duhet vlerësuar dhe duhet ndjekur edhe nga subjektet e tjera të vendit. E kur flasim për përmbushjen e kësaj marrëveshjeje, dua të jem korrekt me opinionin dhe me ju për t’ju thënë se dinamika e krizave globale dhe vendore ka ndikuar edhe në përmbushjen e saj. Deri më tash e kemi përmbushur qëndrimin se nuk do të ketë shtrenjtim të energjisë elektrike më shumë se 20% deri në fund të vitit dhe këtë besoj se e ndjejnë të gjithë qytetarët e vendit në buxhetin e tyre familjar. Po ashtu, duke qenë në një kohë kur perspektiva evropiane është bërë jashtëzakonisht e rëndësishme për vendin, mendoj se puna e bërë në zgjidhjen e kontestit me Bullgarinë, zhvillimet e reja atje, kontaktet që i kanë pasur edhe ministrat tanë, japin shpresë se edhe në Maqedoninë e Veriut po vijnë ditë më të mira europiane. Në këtë drejtim, edhe lufta kundër krimit dhe korrupsionit besoj se ka qenë një detyrë që çdo ditë po përmbushet pa e kursye askënd. Sigurisht, për këtë nuk jemi vetëm ne meritorët e vetëm, por jam i bindur se fryma që Alternativa ia ka dhënë kësaj qeverie, ka qenë shtytje domethënëse në këtë drejtim. Ajo që sigurisht e brengos më shumë opinionin është çështja e rasteve gjyqësore për të cilat dyshohet se ka implikime politike. Për këtë dua t’jua them se kam dakordim të plotë me kryeministrin Kovaçeski që letrën për Komisionin Europian ta dërgojmë që sot dhe nuk ka as edhe një pengesë të vetme vendore që e ndalon këtë, por pas konsultimeve që i kam bërë me disa miq ndërkombëtarë, këshilla e tyre ka qenë që të gjendet një moment më i përshtatshëm për këtë kërkesë, ngase duke u gjendur në vlugun e krizës së Ukrainës, letra e tillë mund të rrezikojë të mos gjejë pranues që do ta trajtojë seriozisht dhe do të përgjigjet ashtu. Megjithatë, dua ta rehatoj opinionin se nuk mund të shpallen zgjedhje të reja pa u realizuar kjo pikë e marrëveshjes sonë. E kur flasim për pikat e tjera, mund t’ju them se shumica e tyre janë në realizim e sipër, qoftë çështja e përmbaruesve, për të cilën përgatitet ligji i ri, ajo e zhvillimit të barabartë rajonal dhe e heqjes së Likovës nga zona e krizës, tema e arsimit, mbrojtja e familjes ose edhe reformimi i administratës, një temë për të cilën po punon në veçanti ministri ynë i Shoqërisë Informatike. Krejt këto janë dëshmi e përkushtimit tonë serioz në përmbushjen e detyrimeve që ia kemi vënë vetes. Në të vërtetë, nuk do të ishim të sinqertë nëse nuk e pranojmë se kriza e invazionit rus në Ukrainë, por edhe kriza ekonomike dhe pandemia, kanë ndikuar ndjeshëm edhe në dinamikën e realizimit të kësaj marrëveshjeje, duke i zhvendosur seriozisht jo vetëm prioritetet e qeverisë, por edhe të mbarë gjeopolitikës. Natyrisht, as ne nuk duam të bëjmë marketing ditor me zhvillimet më të reja të kësaj marrëveshje, sepse ashtu i dëmtojmë shumë procese, andaj jemi të kursyer nga fjalomania, për t’i krijuar mundësi punës. Pavarësisht kësaj, unë jam i bindur se mandati ynë në qeveri nuk do të përfundojë pa realizimin e asaj marrëveshjeje. Sa i takon pjesës kadrovike, më lejoni t’ju them se ne vazhdojmë akoma të etablohemi, andaj është periudhë e shkurtër për të pasur pasqyrë të qartë të pjesëmarrjes sonë. Sa për informacion, që nga çasti kur iu bashkuam kësaj qeverie e deri më tash ne i kemi marrë shumicën e detyrave dhe përgjegjësive, por një pjesë e tyre kanë mbetur pa u plotësuar për shkak të ndryshimeve që duhet të ndodhin në qeveri dhe ne jemi në pritje të finalizimit të marrëveshjes së plotë. Në këto 100 ditë jemi munduar që gjithë atë që e kemi thënë ndër vite tash ta implementojmë – punë, transparencë dhe përgjegjësi. Për këtë disa herë kemi marrë edhe mirënjohje publike dhe mua më gëzon fakti që i prij një ekipi që identitet themelor e ka punën, përkushtimin, transparencën dhe përgjegjësinë, duke e ushtruar detyrën pa afera korrupsioni dhe abuzimi me pushtetin. Mendoj se edhe ky takim i sotëm është një risi. Unë sot i kam ftuar të gjithë funksionarët e Alternativës dhe ata janë këtu jo vetëm për t’i qëndruar pas kësaj që e them, por edhe për t’u përgjigjur për çdo çështje që e brengos opinionin publik. Ju keni të drejtë edhe sot këtu, por edhe kurdo tjetër, t’u drejtoheni dhe t’i pyesni e t’i mbani për fjale për çdo temë të resorit të tyre. Ditëve në vijim ata do të kenë edhe llogaridhënie personale dhe kjo do të jetë edhe një mënyrë për ta parë punën e tyre. Ne jemi këta, puna jonë është kjo dhe ne po ballafaqohemi sot me përgjegjësi para votuesve tanë dhe para opinionit, në përgjithësi. /shenja