Ahmeti: Jemi për zgjidhje të drejtë, të mirë dhe të qëndrueshme

Lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, pas takimit me liderin e Lidhjes Social Demokratike të Maqedonisë (LSDM), Zoran Zaev, takim i cili u realizua në Tetovë në kuadër të sigurimit të nënshkrimeve për marrjen e mandatit për formimin e Qeverisë së Maqedonisë, tha se janë diskutuar çështje të rëndësishme të Kushtetutës së Maqedonisë për situatën aktuale politike dhe se tani është nevoja më e madhe që të ketë komunikim mes partive politike, raporton Anadolu Agency (AA).

Ahmeti theksoi se partia e tij do të ftojë organet drejtuese të partisë për të vazhduar analizat mbi opsionet për të cilat janë paraqitur dhe të vendosin për më të pranueshmin dhe më të dobishmin për Maqedoninë.

“Janë biseduar çështje të rëndësishme që kanë të bëjnë me zgjidhje të problemeve dhe ky komunikim duhet të vazhdojë edhe më tej për të gjetur zgjidhje sa më të mirë për qytetarët e Maqedonisë, zgjidhje që do të prodhojë stabilitet dhe qëndrueshmëri në të gjitha fushat, të tilla si në marrëdhëniet ndëretnike, në zhvillimin e ekonomisë dhe në raport me fqinjët”, deklaroi Ahmeti.

Ahmeti shtoi se kanë mbetur shumë çështje të paharmonizuara, për të cilat sipas tij, mbetet që ekipet e ekspertëve të marrin orientimet e tyre se si të mund të përmbyllen çështjet për të cilat ka dallime. Ai theksoi se nuk dëshiron të flas për pesimizëm, por as për optimizëm të tepruar dhe se gjërat duhet parë me racionalitet.

“Ne jemi për zgjidhje të drejtë, të mirë dhe të qëndrueshme. Çështjet që bisedohen nuk janë të lehta, janë momente vendimtare që gjuha shqipe duhet të ketë statusin e merituar, status i cili buron edhe nga vet Kushtetuta e Maqedonisë. Gjuhën të cilën e flasin mbi 20 përqind të qytetarëve është gjuhë zyrtare në këte vend”, deklaroi Ahmeti, duke shtuar se çdo gjë analizohet mirë që mos të bëhet ndonjë veprim i gabueshëm.​

Zaev: Shpresoj se procesi i bisedimeve do të përfundojë pozitivisht

Ndërkaq, lideri i Lidhjes Social Demokratike të Maqedonisë (LSDM), Zoran Zaev, pas takimit tha se intensiteti i bisedimeve për formimin e qeverisë së re është në rritje, ndërsa takimi mes dy liderëve të këtyre subjekteve politike tregon edhe rezultatin e intensitetit të bisedimeve.

Zaev bëri të ditur se në takim janë diskutuar disa çështje që dalin nga Kushtetuta e Maqedonisë, të cilat do të shqyrtohen nga grupet punuese të partisë së tij të mbështetur nga ekipe të ekspertëve.

“Shpresoj që sa më shpejtë të jetë e mundur ky proces i bisedimeve të përfundojë dhe unë jam optimist se do të përfundojë pozitivisht. Sonte me z. Ahmeti pastruam disa çështje dhe shpresoj se edhe ekipet tona të ekspertëve do të gjejnë një zgjidhje në pajtim të Kushtetutës së Maqedonisë”, deklaroi Zaev, duke shtuar se të dyja palët përpiqen që të gjejnë një zgjidhje kushtetuese që do të zbatohet në praktikë dhe do të lehtësojë jetën për barazi të qytetarëve të Maqedonisë.

Zaev theksoi se qëndrimet e të dy partive politke kryesisht janë të njëjta, siç theksoi ai, në aspektin e aspiratave të vendit në BE dhe NATO, në lidhje me Prokurorinë Speciale Publike, në fushën e barazisë ekonomike dhe në ndarjen e barabartë të buxhetit dhe investimeve kapitale në të gjitha rajonet e vendit.

“Dëshira e BDI-së dhe LSDM-së është që të arrihet një zgjidhje kushtetuese në funksion të një ligji të ri për përdorimin e gjuhëve. Nuk duhet të lejojmë asgjë jashtë kushtetutës dhe gjithçka tjetër që është në kushtetutë të bie në ujë. Kush ka përfitim nga ajo? Në fund të fundit, nëse mbetet ndonjë çështje e hapur, sot nuk përfundon dita e bisedimeve, mundemi që pas gjashtë muajve përsëri t’i bisedojmë dhe nëse janë në përputhje me kushtetutën, edhe ato çështje do t’i pranojmë”, u shpreh Zaev.