Akar: Turqia do të vazhdojë t’i përgjigjet siç duhet çdo agresioni të paligjshëm të Greqisë

Ministri i Mbrojtjes Kombëtare, Hulusi Akar, deklaroi të premten se Turqia i është përgjigjur dhe do të vazhdojë t’i përgjigjet siç duhet çdo agresioni të padrejtë dhe të paligjshëm të Greqisë.

Kështu u shpreh Hulusi Akar gjatë fjalës së rastit në ceremoninë e certifikimit dhe diplomimit pas kursit të pilotazhit të personelit ushtarak në Izmir, duke iu referuar zhvillimeve të fundit me Greqinë krahas çështjeve të mbrojtjes dhe sigurisë, ndërsa vuri në pah se Turqia është në favor të marrëdhënieve të mira fqinjësore, miqësisë, paqes dhe ndarjes së drejtë të pasurisë në Egje.

“Ne duam që të përmbushen ato që thotë e drejta dhe traktatet ndërkombëtare”, theksoi ministri turk i Mbrojtjes Kombëtare duke shtuar se thirrjet e Ankarasë për dialog kanë mbetur pa përgjigje.

Pasi tërhoqi vëmendjen se Greqia ka armatosur disa ishuj në kundërshtim me akordet ndërkombëtare (Traktati i Lozanës, 1923 dhe Traktatet e Paqes së Parisit, 1947), Akar vijoi me këto fjalë: “Ne i jemi përgjigjur çdonjërit prej veprimeve të padrejta dhe të paligjshme të agresionit të Greqisë dhe do të vazhdojmë ta bëjmë këtë. Kurrsesi nuk bëhet fjalë që ne të heshtim për këto çështje, të tolerojmë shkeljen e të drejtave dhe ligjet tona, apo të miratojmë ndonjë fakt të kryer. Të gjithë duhet ta mbajnë vathë në vesh këtë gjë.”

Turqia – vijoi ai – nuk është një kërcënim; përkundrazi, është një aleat i fortë, i besueshëm dhe efektiv.

“Republika e Turqisë ka qenë gjithmonë një hap përpara për paqen, gjithmonë e ka shtrirë dorën e saj për paqen. Dëshirojmë të shprehim se shtrëngimi i kësaj dore paqeje u sjell dobi edhe të gjithë fqinjëve tanë. Thirrja për dialog në kuadër të marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë nuk është një dobësi. Gjithashtu nuk është kërcënim kur themi se nuk do të lejojmë asnjë fakt të kryer dhe s’do të tolerojmë shkeljen e të drejtave tona. Ne presim që këto të kuptohen”, sqaroi ministri i Mbrojtjes.

Më tej, ai potencoi se lufta kundër terrorizmit do të vazhdojë me vendosmëri deri në neutralizimin e terroristit të fundit.

“Ne e nënvizojmë në çdo platformë se respektojmë pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të fqinjëve tanë, veçanërisht të Irakut e Sirisë. Organizata terroriste, YPG, nuk ka asnjë dallim nga PKK-ja. Por ajo po e ndryshon për të mashtruar opinionin publik botëror. Këta terroristë, të cilët s’kanë kurrfarë dallimi nga njëri-tjetri, pavarësisht se nga kush sigurojnë mbështetje, kjo mbështetje e tyre nuk do t’u mjaftojë. Ne presim që NATO-ja, ku ne jemi anëtarë gjithashtu, si dhe aleatët tanë atje, të ndajnë të njëjtën përgjegjësi në luftën kundër terrorizmit dhe të përmbushin përgjegjësitë e tyre ndaj NATO-s, njësoj siç bëjmë ne”, u shpreh ministri Akar. /trt