Akil Gjakova ndalohet në Morinë, dërgohet në mbajtje prej 48 orësh

Xhudisti pejan, Akil Gjakova është dërguar në mbajtje nga Policia e Pejës, pas urdhër-arrestit të lëshuar nga Prokuroria disa ditë më parë.

Akil Gjakova është denoncuar nga bashkëshortja e tij para disa ditësh për ‘dhunë në familje’.

Megjithatë, xhudisti pejan nuk është dorëzuar në Polici edhe përkundër thirrjeve të vazhdueshme, duke bërë që Policia e Kosovës të lëshoj urdhër për arrestimin e tij.

Pas këtij urdhri erdhi edhe reagimi i Federatës së Xhudos, e cila deklaroi se janë të bindur në pafajësinë e Akilit dhe se ai do të dorëzohet tek organet posa të arrijë në Kosovë.

Një gjë e tillë edhe ka ndodhur, pasi zëdhënësi i Prokurorisë themelore në Pejë, Shkodran Nikçi, ka konfirmuar për Telegrafin, ndalimin e xhudistit.

“I njëjti është ndaluar mbrëmë në pikë kalimin në Morinë. Policia e Pejës e ka marrë të dyshuarin dhe Prokuroria e Pejës ka dhënë urdhër ndalimi prej 48 orësh”, ka thënë Nikçi për Telegrafin.

Lajmi për Telegrafin u konfirmua edhe nga zëdhëndësi i Policisë në Pejë, Driton Rugova.

“Pas publikimit të personit në kërkim Akil Gjakova, i njëjti mbrëmë (e martë) në orët e vona është dorëzuar në pikën kufitare në Vërmicë, me vendim të Prokurorit të Shtetit i dyshuari është dërguar në mbajtje për 48 orë”, ka thënë Rugova.