Aksident me disa të plagosur në rrugën Lezhë-Shkodër, i përfshirë automjeti nga Kosova

Një aksident i rëndë është shënuar paraditen e sotme në aksin Lezhë-Shkodër, në afërsi të fshatit Piraj.

Burime për median bëjnë me dije se një automjet tip “Fuoristradë Mitsubish” me targa greke, është përplasur me një “Audi A6.”

Shkak dyshohet se ka qenë një parakalim i gabuar i Audit me targa të Kosovës.

Shtatë persona kanë mbetur të plagosur, përfshirë edhe një fëmijë, i cili raportohet se ndodhet ne gjendje të rëndë.

Si pasojë e aksidentit është bllokuar trafiku në të dyja anët dhe lëvizja e automjeteve është devijuar në aksin e vjetër Kallmet-Dajç.

Zjarrfikësja dhe policia ndodhen në vendin e ngjarjes, ndërsa të plagosurit janë transportuar në spital dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën.