Aktakuzë kundër dy personave për terrorizëm

Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë kundër dy personave nga Peja për terrorizëm.

Sipas Prokurorisë të akuzuarit janë N.K. dhe N.B. dhe për të cilët ekziston dyshimi i bazuar se te pandehurit në këtë rast duke vepruar në bashkëkryerje, kanë menaxhuar me një radio dhe portal në territorin e Kosovës, në periudhën kohore gjate viteve 2014 – 2015, duke vazhduar deri në fund të muajit korrik të vitit 2016.

Sipas aktakuzës këta të dyshuar në këto media emetonin propagandimin dhe zhvillimin e aktiviteteve të organizatave terroriste, si “Al-Qaida” dhe “ISIS”, më qëllim që të nxitin të rinjtë kosovar për t’iu bashkuar organizatave terroriste të lartcekura, duke mos u kufizuar në postimin e shkrimeve dhe fotografive edhe në rrjetin social “Facebook” me të njëjtin emër, të siguruara nga rrjete sociale nga ëeb faqe të ndryshme të internetit, të cilat këta të pandehur i përdornin si mjete për propagandimin mbi zhvillimet e fundit të luftës së këtyre organizatave, në Siri dhe Irak.

Të akuzuarit ngarkohen për veprat penale bashkimi apo pjesëmarrja në ushtrinë ose policinë e huaj, në formacionet e jashtme paraushtarake ose parapolicore, në organizimet grupore apo individualisht në çfarëdo forme të konflikteve të armatosura jashtë territorit të Republikës së Kosovës për ndalimin e bashkimit në konflikte të armatosura jashtë territorit të vendit ndërsa njëri prej tyre akuzohet edhe për mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve.

Aktakuza është ngritur nga një prokuror vendës i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, i cila i ka propozuar Gjykatës që pas administrimit të provave dhe përfundimit të shqyrtimit gjyqësor, të pandehurit, për veprat penale që akuzohen, t’i shpallë fajtor dhe t’i gjykojë sipas ligjit.