Aktakuzë kundër ish-ministrit Todosijeviq, intervenimin e NATO-s e quajti agresion

Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë kundër ish-minsitrit të Administratës dhe Pushtetit Lokal në Kosovë, Ivan Todosijeviq.

Në prill këtij viti, ish-ministri i Administratës dhe Pushtetit Lokal në Kosovë, Ivan Todosijeviq, e kishte quajtur intervenimin e NATO-s agresion, kurse shqiptarët i kishte cilësuar si gjakpirës dhe terroristë, raporton lajmi.net.

Pas këtyre deklaratave, Teodosijeviq ishte shkarkuar nga posti i ministri nga kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj.

Kurse gjatë ditës së sotme, Prokuroria Speciale e Kosovës, ka ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore të Prishtinën për “Nxitje të urrejtjes, përçarjes ose mos durimit kombëtar, racor, fetar apo etnik”.

Njoftimi i plotë i Prokurorisë Speciale pa ndërhyrje:

Aktakuzë kundër ish-ministrit për “Nxitja e urrejtjes, përçarjes ose mos durimit kombëtar, racor, fetar apo etnik”

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ka ngritur aktakuzë pranë Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti Special, kundër të pandehurit I.T., pasi që në cilësinë e Ministrit në Qeverinë e Republikës së Kosovës, duke keqpërdorur pozitën apo autorizimet e tij, me dashje, ka nxitur dhe përhapur publikisht urrejtje, përçarje dhe mos durim midis grupeve kombëtare, racore dhe etnike që jetojnë në Republikën e Kosovës.

I pandehuri I.T., më 24.03.2019, në cilësinë e pjesëmarrësit dhe folësit në tubimin qytetar kundër intervenimit të NATO-s, në vitin 1999 në Kosovë, të ashtuquajtur “në kujtim të viktimave të bombardimeve të NATO-s”, shprehet se “Arsyeja për agresionin në shtetin tonë ka qenë e ashtuquajtura katastrofë humanitare në Kosovë e Metohi… Masakra e Reçakut ishte trillim… Janë terroristët shqiptarë që e trilluan gjithë këtë dhe bënë krimet më të mëdha në Kosovë e Metohi… Për këtë, sot e kësaj dite askush nuk ka dhënë përgjegjësi…Kanë bërë krime para agresionit të NATO-s, kanë vrarë shtëpiak të mirë serb dhe policë në vendin e tyre të punës… gjak pirjen e tyre e kanë vazhduar edhe gjatë agresionit edhe pas ardhjes të së ashtuquajturës mision paqësor në Kosovë e Metohi”, veprime këto të cilat mund të prishin rendin publik ose të shkaktojnë pasoja tjera më të rënda në Republikën e Kosovës.

Me këto veprime I.T., ka kryer veprën penale “Nxitja e urrejtjes, përçarjes ose mos durimit kombëtar, racor, fetar apo etnik” nga neni 147, paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së.