Aktakuzë ndaj deputetit të VV-së, Fisnik Ismaili

Gjykata Themelore në Prishtinë ka konfirmuar aktakuzën ndaj deputetit Fisnik Ismaili, i akuzuar për veprat penale “pengimi i personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare” dhe “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, lidhur me rastin e hedhjes së gazit lotsjellës në hapësirat e Kuvendit të Kosovës.

Kjo gjykatë, e ka refuzuar kërkesën e mbrojtjes për hudhjen e aktakuzës dhe kundërshtimin e provave.

Këtë e ka konfirmuar për “Betimi për Drejtësi”, kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Vesel Ismajli. Ndërkaq, mbrojtësi i të akuzuarit Ismaili, avokati Betim Shala, për “Betimi për Drejtësi” ka thënë se kundër këtij vendimi ka bërë ankesë në Gjykatën e Apelit.

Në seancën e 13 dhjetorit të vitit të kaluar, avokati Shala, kishte paraqitur kërkesën e tij për hudhjen e aktakuzës dhe kundërshtimin e provave.

Sipas tij, dyshimi i prokurorisë se i mbrojturi i tij, në ditën kritike kishte poseduar dy bombola të gazit, nuk mund të vërtetohej vetëm me anë të një prove, të cilën e posedonte prokuroria, dhe atë vërtetimin mbi marrjen e përkohshme të gjësendeve.Ndërsa, për veprën penale “pengimi i personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare” , sipas Shalës, prokuroria për vërtetimin e bazuar mirë se Ismaili kishte kryer këtë vepër penale, kishte përdor vetëm disa video incizime.

Fisnik Ismaili akuzohet se më 30 nëntor 2015, në hollin e Kuvendit të Republikës së Kosovës, gjatë një kontrolli nga ana e policisë, tek i pandehuri ishin gjetur dhe sekuestruar dy bombola me gaz lotsjellës, të cilët i kishte fshehur në këpucët e tij, me qëllim që t’i fusë në sallën plenare të Kuvendit të Kosovës.