Aktiviteti ekonomik i Kinës bie me shpejtësi pas izolimeve të Covid

Prodhimi i produkteve konsumatore dhe industriale ka pësuar rënie, teksa vendi po përballon koston e strategjisë së koronavirusit të Xi Jinping.

Aktiviteti ekonomik i Kinës pësoi një rënie të ndjeshme në muajin prill, pasi një valë izolimesh në të gjithë vendin paraqiti sfidën më të rëndësishme për perspektivat e rritjes, që kur Covid-19 u shfaq më shumë se dy vjet më parë.

Shitjet me pakicë, matësi kryesor i aktivitetit të konsumit në vend, ranë me 11.1 për qind nga njëri vit në tjetrin, krahasuar me parashikimet për një rënie prej 6.6 për qind nga ekonomistët e anketuar nga Bloomberg. Shitjet me pakicë ranë edhe në mars, me një rënie vjetore prej 3.5 për qind.

Prodhimi industrial, i cili mbështeti rimëkëmbjen e shpejtë ekonomike të Kinës nga goditja fillestare e Covid në fillim të vitit 2020 dhe pritej që do të rritej pavarësisht kufizimeve të fundit, ra me 2.9 për qind.

Këto të dhëna janë shenja më domethënëse e “taksës” ekonomike që Kina duhet të paguajë nga qasja e saj ndaj koronavirusit, me izolime në të gjitha qytetet kryesore, testime masive dhe krijimin e qendrave të karantinës. Eliminimi i infektimeve të reja është një prioritet për presidentin Xi Jinping, i cili ka riafirmuar angazhimin e tij ndaj kësaj strategjie edhe për këtë vit, përpara hyrjes në mandatin e tretë në pushtet.

Qasja “zero-Covid” e kishte mbajtur virusin në kontroll gjatë dy viteve të fundit, por autoritetet i kanë përshkallëzuar së tepërmi masat e tyre në vitin 2022 pas shpërthimit të variantit shumë infektiv të Omicron. Kufizimet janë përqendruar kryesisht në Shangai, i cili kaloi në karantinë në fund të marsit.

“Aktiviteti në muajin prill ishte më i dobët nga ҫ’pritej, dhe rëniet u kryesuan nga shitjet me pakicë, gjë që është e kuptueshme në rrethanat e izolimeve,” tha Carlos Casanova, ekonomist për Azinë në UBP. Ai pret që shitjet me pakicë të vazhdojnë të bien edhe më tej në maj.

Dhjetra qytete dhe qindra miliona njerëz në të gjithë Kinën janë vendosur nën izolim të plotë ose të pjesshëm, si pjesë e një politike që pritet të ketë pasoja të thella për zinxhirët e furnizimit global.

Edhe përpara izolimeve, ekonomia e Kinës ishte nën presionin e një krize likuiditeti nga të gjithë zhvilluesit e pasurive të paluajtshme, pas një rënieje në shitjet e shtëpive.

Gjatë fundjavës, qeveria uli efektivisht normat bazë të kredive hipotekore për personat që do të blejnë për herë të parë një shtëpi, nga 4.6 për qind në 4.4 për qind, ulja e fundit në një seri masash lehtësuese që synojnë të mbështesin një nga shtytësit më të rëndësishëm ekonomikë të vendit.

Zhiwei Zhang, kryeekonomist në Pinpoint Asset Management, vuri në dukje se qeveria ishte nën presion për të nisur me masa të reja stimuluese dhe se ulja e normës së kredive hipotekore ishte “një hap në këtë drejtim”. Por, ai shtoi se “efektshmëria e këtyre politikave varet nga mënyra se si qeveria do të ‘rregullojë’ politikën e tolerancës zero kundër krizës së Omicron”.

Aksionet europiane u hapën në nivele më të ulëta, pasi tregjet e Azisë përmbysën fitimet e hershme. Indeksi i aksioneve Stoxx 600 ra me 0.8 për qind dhe FTSE 100 ra me 0.7 për qind. CSI 300 e aksioneve të listuara në Shangai dhe Shenzhen u mbyll me një rënie prej 0.8 për qind. Indeksi Hang Seng i Hong Kongut pati një ditë të paqëndrueshme, duke u rritur deri në 1.1 për qind përpara se të binte me 0.4 për qind dhe të rikuperohej për ta mbyllur ditën me një rritje prej 0.3 për qind.

Javën e kaluar, autoritetet thanë se qytetarët nuk do të kishin mundësi të largoheshin nga vendi për arsye “jo thelbësore” dhe vendosën masa më të rënda në Shangai pas një karantine pothuajse shtatë javore në mbarë qytetin. Një zyrtar i qytetit tha të hënën se autoritetet synonin që ta rihapnin Shangain duke filluar nga 1 qershori.

Prodhimi i brendshëm bruto i Kinës u rrit me 4.8 për qind krahasuar me tremujorin e parë të vitit të kaluar. Qeveria ka synuar një rritje prej 5.5 për qind për këtë vit, objektivi i saj zyrtar më i ulët në tre dekada. Ekonomistët kanë ulur tashmë parashikimet e rritjes për tremujorin e dytë.

Analistët në bankën australiane ANZ vazhduan të kishin një objektiv të rritjes prej 5 për qind për vitin 2022, duke u bazuar te fakti se stimuli do të “kompensonte humbjen e aktivitetit ekonomik të dy muajve të fundit”. Por, ata ishin “pesimistë në lidhje me perspektivën afatmesme të Kinës”, duke pasur parasysh pritshmëritë se masat mbështetëse do të përfundojnë vitin e ardhshëm.

“Ndikimi i izolimeve të Shangait është i gjerë,” shkruajtën ata. “Lidhja ekonomike dhe teknologjike me pjesën tjetër të botës është në rrezik.”

Shkalla e papunësisë së anketuar ishte 6.1 për qind në prill, niveli më i lartë që nga shkurti i vitit 2020. /monitor