Akuzohej për ngacmim seksual, vetëvritet republikani nga Kentucky

Dan Johnson, ligjvënësi republikan i Kentackyt që refuzoi të jepte dorëheqjen pas akuzave për agresion seksual ndaj një 17-vjeçareje, u gjet i vdekur mbrëmjen e së mërkurës. 57-vjeçari, sipas të gjitha gjasave është vetëvrarë duke përdorur një armë zjarri.

Johnson u zgjodh në legjislaturën shtetërore në vitin 2016. Ajo e tij ishte pjesë e dallgës së fitoreve republikane, që i dhanë kësaj partie kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve të Kentuckyt për të parën herë në gati 100 vite.

Ai arriti të triumfonte, pavarësisht faktit që vet udhëheqësit republikanë e kishin nxitur të hiqte dore nga gara, në vazhdën e disa komenteve raciste që kishte bërë në Facebook.

Një prej tyre i krahasonte Barack dhe Michelle Obamën me majmunë. Si pastor i kishës “Heart of Fire” në Louisville, Johnson kishte mbështetur një sërë projektligjesh që kishin të bënin me liritë fetare dhe mësimin e Biblës në shkollat publike.

Por, ai kishte qëndruar më së shumti larg dritës së prozhektorëve, deri kur Qendra vendore e Raportimit Investigativ publikoi një raport, ku thuhej se kishte përdhunuar një adoleshente në bodrumin e shtëpisë së tij në vitin 2013.

Vajza asokohe e pati njoftuar policinë mbi incidentin dhe kjo e fundit hetoi, por çështja u mbyll e nuk u ngrit asnjë padi. Ligjvënësi i hodhi poshtë me forcë akuzat, duke i cilësuar si krejtësisht të rreme.

“Vetëm Zoti e di të vërtetën”, shkroi ai në Facebook, në një postim që po konsiderohet si shënim vetëvrasjeje. “E dua Zotin dhe e dua gruan time, që është bashkëshortja më e mirë në botë”.