Televizioni Al Jazeera me seli në Katar dënoi vrasjen e korrespondentit të saj, Mohammed Wishah në një sulm izraelit në Gaza, duke e përshkruar incidentin si një “krim të qëllimshëm dhe të synuar”, transmeton Anadolu.
Në një deklaratë të lëshuar të mërkurën, Rrjeti Medial Al Jazeera tha se “dënon fuqimisht krimin e urryer të shënjestrimit dhe vrasjes së gazetarit të Al Jazeera Mubasher, Mohammed Wishah”.
“Kjo përbën shkelje të re dhe flagrante të të gjitha ligjeve dhe normave ndërkombëtare dhe pasqyron politikë të vazhdueshme sistematike të shënjestrimit të gazetarëve dhe heshtjes së zërit të së vërtetës”, tha rrjeti medial.
“Ndërsa Al Jazeera përkujton korrespondentin e saj Mohammed Wishah, i cili iu bashkua Rrjetit në vitin 2018, pohon se vrasja e tij nuk ishte akt i rastësishëm, por krim i qëllimshëm dhe i synuar që synon të frikësojë gazetarët dhe t’i pengojë ata të kryenin detyrat e tyre profesionale”, thuhet në deklaratë.
Ibrahim al-Khalili i Al Jazeera-s, duke raportuar nga qyteti i Gazës, tha se vrasja e gazetarit Wishah në një rrugë kryesore nxjerr në pah situatën e përkeqësuar në terren, mes shkeljeve të vazhdueshme të armëpushimit nga Izraeli.
Në një deklaratë, Zyra e medias së qeverisë së Gazës tha se vrasja e gazetarit Wishah pasqyron një “shënjestër dhe vrasje sistematike” të gazetarëve palestinezë nga Izraeli.
Zyra e medias e qeverisë së Gazës thotë se ushtria izraelite ka kryer rreth 2.000 shkelje që kur hyri në fuqi “armëpushimi”.



