Alban Dragusha edhe zyrtarisht është trajner i skuadrës së Prishtinës, pasi të mërkurën u prezantua në krye të klubit nga kryeqyteti.
Dragusha merr drejtimin e Prishtinës një ditë pas largimit të Afrim Tovërlanit dhe shkëputjes së kontratës që e kishte me Ramiz Sadikun, ekip që bën gara në Ligën e Parë.
“Trajneri 44-vjeçar vjen pas një periudhe të suksesshme te skuadra e Ramiz Sadikut, të cilën e ka drejtuar që nga korriku i vitit 2023. Nën udhëheqjen e tij, kjo skuadër u shndërrua në një nga befasitë më të këndshme të lihës së parë në këtë sezon”, ka shkruar Prishtina në njoftim.
Detajet e marrëveshjes me Dragushën nuk janë bërë të ditura, por thuhet se trajneri i ri ka firmosur kontratë deri në fund të këtij sezoni me opsionin e vazhdimit edhe për sezonin e ardhshëm.
Dragusha në krye të Prishtinës do të debutojë në ndeshjen kundër Ballkanit, e cila luhet të shtunën mbrëma në stadiumin “Fadil Vokrri” në kryeqytet dhe takon xhiros së 26-të.
Përveç Ramiz Sadikut, Dragusha ka qenë edhe trajner te Vushtrria, si dhe ndihmëstrajner i Dritës, përpara se të marrë drejtimin e Prishtinës. Si futbollist, Dragusha ka një karrierë të pasur pasi krahas Kosovës, ka luajtur edhe në Ukrainë, Azerbajxhan, Suedi e Shqipëri. Ai është trajneri i tretë te Prishtina këtë sezon, pasi para Tovërlanit, ekipin e ka udhëhequr Arsim Thaqi.
Aktualisht, Prishtina zë vendin e tretë në tabelë me 38 pikë dhe është në seri prej pesë ndeshjeve rresht pa fitore, duke regjistruar tri humbje dhe dy barazime.








