Aleksandria, një nga qytetet më të rëndësishme të Egjiptit në bregdetin e Mesdheut, mirëpret çdo vit miliona vizitorë me bibliotekën, pallatet dhe kopshtet e saj të gjera, raporton Anadolu.
Qyteti, i themeluar nga Aleksandri i Madh në vitin 331 p.e.s. dhe që për një periudhë ka qenë kryeqytet i Egjiptit, dikur strehoi Farin e Aleksandrisë, të konsideruar si një nga Shtatë Mrekullitë e Botës, si dhe Bibliotekën e Aleksandrisë, një nga qendrat më të rëndësishme të dijes në histori.
Aleksandria ndodhet rreth 220 kilometra në veri të Kajros, kryeqytetit aktual të Egjiptit, dhe arrihet me rrugë tokësore për rreth 2,5 orë. Krahasuar me Kajron, ajo dallohet për pamjen më të rregullt dhe më të gjelbër.

Ndërtesat e larta përgjatë bregdetit formojnë siluetën e qytetit, ndërsa rruga bregdetare me pamje nga Mesdheu të kujton qytetet bregdetare të Turqisë.
Biblioteka e Aleksandrisë, një nga qendrat më të rëndësishme kulturore të qytetit, është ndër vendet që tërheq më shumë vizitorë.
Biblioteka historike, ku mendohet se ruheshin qindra mijëra dorëshkrime në antikitet, u shkatërrua nga luftërat dhe zjarret në periudha të ndryshme. Biblioteka e re, e hapur në vitin 2002 për të mbajtur gjallë kujtimin e saj, tërheq vëmendjen me arkitekturën moderne. Ndërtesa në breg të Mesdheut strehon miliona libra, muze, hapësira ekspozuese dhe qendra kërkimore.
Muzeu i Antikiteteve, brenda Bibliotekës së re të Aleksandrisë, mirëpret vizitorët me koleksionin e pasur që shtrihet nga periudha e faraonëve deri në epokat romake, kopte dhe islame. Në muze ekspozohen dorëshkrime, statuja, stele varresh, monedha, qeramika dhe mbetje historike të zbuluara gjatë ndërtimit të bibliotekës moderne.
Muzeu, që bashkon vepra nga qytetërime të ndryshme të Egjiptit, konsiderohet një nga qendrat e rëndësishme që pasqyrojnë trashëgiminë kulturore të vendit.
Pallati Montazah dhe kopshtet e tij të gjera në lindje të qytetit janë gjithashtu ndër vendet më të vizituara. Ky pallat, që ndërthur arkitekturën turke dhe florentine, u ndërtua në vitin 1892 nga Abbas II, kedivi i Egjiptit dhe nip i Mehmet Ali Pashës. Kompleksi, i përdorur edhe si rezidencë verore e mbretit të fundit të Egjiptit, Farukut, sot shërben si hotel dhe rezidencë shtetërore për mysafirë.
Zona dallohet për parqet e gjera të hapura drejt Mesdheut, shtigjet për ecje dhe ndërtesat historike, duke tërhequr shumë vizitorë, veçanërisht gjatë fundjavave.

Fari i Aleksandrisë, i konsideruar si një nga Shtatë Mrekullitë e Botës, nuk ka mbijetuar deri në ditët e sotme. Ky far, një nga strukturat më të larta të kohës së tij, u shërbeu për shekuj me radhë detarëve me dritën e tij të dukshme nga dhjetëra kilometra larg. Sot, pjesa më e madhe e zonës ku ndodhej gjendet nën ujërat e Mesdheut. I dëmtuar rëndë nga tërmetet, gurtë e tij u përdorën për ndërtimin e Kalasë së Kajtbeut, çka çoi në zhdukjen e plotë të tij.
Ndër monumentet e tjera të rëndësishme të Aleksandrisë janë Kalaja e Kajtbeut dhe Xhamia Abdul Abbas.






