Shejkh Ali Et-Tantavi (r.h) tregon:
Një herë, më i madhi i familjes sonë, Dr. Tahir Et-Tantavi, Allahu e mëshiroftë, na ftoi për t’u bërë gjithë bashkë, tërë anëtarët e familjes.
Kishte përgatitur një darkë me të gjithë të mirat, me ushqime të shijshme e të këndshme.
Kishte përgatitur gjithçka, që t’i kënaqte dhe t’i gëzonte të gjithë.
Shkova në këtë tubim me zemër të kënaqur.
Nuk qëndrova, veçse gjysmë ore, derisa mu ngushtua gjoksi dhe ndjeva, sikur diçka po më shtynte të dilja jashtë dhe, nëse unë do të qëndroja, do të m’u zinte fryma! U kërkova leje për t’u larguar, por u habitën prej meje!!
Edhe unë po habitesha me veten time, e nuk e dija, se çfarë më gjeti!
U prish ndeja dhe humbi gjithë ajo, që kishin pritur të gjenin prej kënaqësisë dhe lezetit.
Të gjithë ma hodhën fajin mua, e unë u kërkoja falje dhe ndërkohë nuk e dija se përse po veproja kështu!!
Shtëpia e tij ndodhej rrëzë malit Kasijun, në një zonë të quajtur lagja El-Afif. Dola.. aty pari kaloi furgoni, që ishte bosh. Desha të hipi në të, por pastaj m’u duk se një dorë e fortë po më pengonte për të hipur.
Kështu, që eca në këmbë dhe nuk po dija se ku isha duke shkuar…
Më besoni, që po jua përshkruaj çfarë më ndodhi, sikur të më kishte ndodhur dje, ndërkohë që ajo më ka ndodhur para më shumë se 30 viteve.
Nuk eca, veçse pak… rruga ishte vështirë dhe nata ishte e qetë.
Takova një grua, e cila mbante një fëmijë në krah dhe një tjetër e tërhiqte për dore.
Ajo rënkonte dhe qante, e lutej me zë të ulët, saqë nuk e kuptoja.
Iu afrova dhe e pyeta: Çfarë ke, o motër?
M’u largua dhe mendoi, se mos kisha ndonjë qëllim të keq.
Më vështroi dhe pasi më pa se isha i moshuar dhe se nuk kishe pse të frikësohej prej meje, e hapi zemrën dhe më shpjegoi hallin saj.
Kjo është historia e saj:
Ajo ishte nga Halebi. Burri i saj ishte nëpunës në Damask dhe e kishte nxjerrë (dëbuar) nga shtëpia, e ajo nuk dinte ku të shkonte. Ajo nuk kishte njeri, përveç një daje, dhe nuk po arrinte t’ia gjente shtëpinë e tij.
I thashë: Unë të çoj tek shtëpia e dajës tënd dhe, nesër shko në gjykatë e denonco tek gjykatësi ankesën tënde.
Ajo filloi të qante edhe më shumë dhe tha: Si mund të shkoj tek gjykatësi, ndërkohë që unë jam një grua e mjerë dhe gjykatësi nuk pret njerëz si puna ime, e as që i dëgjon ata?!
Atëkohë, unë isha gjykatës i Damaskut.
I thashë: Allahu t’i është përgjigjur lutjes tënde, o ti grua; sepse ty të është bërë zullum dhe lutja e atij që i është bërë zullum, mes saj dhe mes Allahut nuk ka perde. E, unë jam gjykatësi! Allahu më nxori nga familja ime dhe më solli tek ti për të kryer hallin tënd, inshallah.
Kjo është kartëvizita ime. Nesër eja tek gjykata dhe më tako aty.
_____________________
Ali Et-Tantavi, nga libri “Nurun ve hidaje” (Dritë dhe udhëzim)
Hoxhë Lavdrim Hamja







