Alonso rrezikon shkarkimin para ndeshjes me Manchester City-n

Tensionet po rriten te Reali i Madridit, me trajnerin Xabi Alonso që rrezikon seriozisht shkarkimin pas humbjes 2-0 ndaj Celta Vigos.

Sipas mediave spanjolle, drejtuesit e ‘Los Blancos’ kanë diskutuar gjatë natës për të ardhmen e trajnerit dhe vendimtare pritet të jetë ndeshja e Ligës së Kampionëve të mërkurën kundër Manchester Cityt.

Humbja dhe, mbi të gjitha, performanca e ekipit nuk kanë kënaqur drejtuesit e Madridit, të cilët i kanë dhënë Alonso kohë deri të mërkurën për të reaguar. Nëse ekipi nuk arrin një rezultat pozitiv ndaj skuadrës së Guardiolës, shkarkimi i trajnerit pritet të jetë i pashmangshëm.

Gazetat spanjolle raportojnë se tashmë kanë nisur hamendësimet për pasardhësit e mundshëm të Alonso. Ndër emrat që përmenden janë Jurgen Klopp, Santiago Solari dhe Alvaro Arbeloa.

Kthimi i Zinedine Zidane duket i pamundur, pasi francezi synon të marrë drejtimin e kombëtares së tij pas Kupës së Botës 2026.

Pas humbjes, Alonso u shpreh: “Jam i zemëruar, por jemi të gjithë të bashkuar. Humbjet dhembin, por duhet të shohim përpara. Liga e Kampionëve vjen të mërkurën dhe duhet të tregojmë një tjetër anë. A rrezikoj vendin tim? Është një ndeshje që vlen tre pikë në Ligën e Kampionëve.”

Real Madrid kërkon një reagim të menjëhershëm nga ekipi, ndërsa tifozët dhe mediat presin me padurim zhvillimet e ditëve të ardhshme.